Friedrich Ebert Stiftung
FES-i ka qenë partner i “Riinvest”-it që nga viti 1997. Gjatë periudhës 1999 dhe 2005, kisha kënaqësinë të isha përgjegjës nga ana e FES-it për bashkëpunimin mes të dy institucioneve. Kontakti im i parë me profesorin Mustafa dhe kolegët e tij ka qenë në pranverë të vitit 1999. Si një vëzhgues i jashtëm, i mbaj mend shumë mirë ato ditë lufte në Kosovë, lajmet e tmerrshme, fotografitë dramatike dhe lajmet shqetësuese në media që vinin nga atje gjatë atyre ditëve. Derisa vija nga Sofja, aty ku i kemi pasur zyrat tona regjionale, arrita në Tetovë, ku shumë njerëz nga Kosova kishin ikur nga lufta për të gjetur strehë. Qyteti i vogël ishte përplot me njerëz dhe vetura. Ishte shumë vështirë të gjeje vend të lirë në njërën nga kafenetë e shumta, të cilat në të njëjtën kohë ishin edhe vendtakime për të gjithë, përfshirë ndërkombëtarët e shumtë, të cilët ishin prezentë si pjesëtarë të programeve humanitare ndërkombëtare si dhe korrespondentë nga organet e medieve anembanë botës.
“Riinvest”-i kishte themeluar një zyrë të vogël në qendër të qytetit. Duke mos e ditur se kur do të përfundonte lufta, ato ditë ne filluam një program studimor dhe propozues për rindërtimin e Kosovës pas luftës. Ne e dinim se shumë ekspertë nga Kosova ishin në Tetovë, duke pritur ditë më të mira, në kafenetë e qytetit. Derisa prisnim në Tetovë, ne dëshironim që t’ju ofrojmë mundësinë që t’i vënë në përdorim kapacitetet e tyre intelektuale dhe vizionare për të kontribuar për “ditët pas” dhe sfidave enorme që duhej të adresoheshim kur të përfundonte lufta dhe kur njerëzit e Kosovës të ktheheshin prapë në vendin e tyre.
Si rezultat, “Riinvest”-i dhe FES-i organizuan Konferencën e parë ndërkombëtare pas përfundimit të luftës, në ditët e hershme të korrikut 1999. Ngjarja u mbajt në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, i cili kishte pësuar nga bombardimet gjatë luftës. Dritaret ishin të thyera dhe gjatë atyre ditëve me shi, uji hynte nga dritaret në dhomën e konferencave nëpërmjet vrimave të shumta të dritareve të thyera. Ishte sfidë të siguronim mjete teknike, por konferenca bëri bashkë një komunitet të njerëzve të çliruar dhe entuziastë të cilët dëshironin të kontribuonin në rindërtimin e një vendi dhe shteti të ri.
Unë e imagjinoj se disa nga ato punime të prezantuara dhe propozime të shumta kanë gjetur rrugën e tyre në procesin e rindërtimit që ka vazhduar që nga atëherë e deri më sot. Përvoja zemërngrohëse e bashkëpunimit tonë, kontakti dhe komunikimi ndërmjet ekipeve tona dhe në veçanti me prof. Mustafën mbeten përgjithmonë në kujtimet e mia.