Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Tjerët për ne

Ministër i Financave në Republikën e Shqipërisë

Shkëlqim Cani

Lidhja dhe bashkëpunimi me Kosovën, pjesë e kombit shqiptar, ka qenë një ëndërr e kahershme. Për shkak të rrethanave të kushtëzuara nga regjimet politike si në Shqipëri, edhe në Kosovë, dhe për shkak të ngjarjeve që bënë histori në fund shekullin e 20-të për kombin shqiptar, mundësia e bashkëpunimit ishte rreptësisht e kufizuar dhe ëndrra mbeti ëndërr...

Por jo pafund. Ngjarjet që pasuan luftën e vitit 1999 hapën një faqe krejt të re për Kosovën, të cilat u finalizuan me shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Ishte kurorëzim, ku edhe ne ndjeheshim si kontribuues sadopak. Kjo sepse që në vitin 2007 kisha filluar bashkëpunimin me “Riinvest”-in.

Bashkëpunimi me “Riinvest”-in filloi me zjarrin dhe dëshirën e njohjes së pjesës tjetër shqiptare, aq e afërt dhe aq e largët. E prita me kënaqësinë më të madhe propozimin për bashkëpunim dhe njëkohësisht me emocionet e një gjëje të re. Përgjegjësia e kontributit, e pjesëmarrjes në jetën akademike në Kosovë dhe e edukimit të brezit të ri të pasluftës ishin të mbuluara nga ndjesi të veçanta. Për shkak të mosnjohjes shumë të mirë të situatës, mbaj mend se sa pyetje më pushtonin. Duke filluar që nga gjuha, nga fjalori që duhet të përdorja, nga ritmi i të folurit... e kështu me radhë. Sigurisht që sot tingëllojnë si fëmijërore, por sot jemi 8 vjet më pas që kanë njohur zhvillim të paparë. Si në shumë fusha të tjera, edhe këto hamendësi nuk ekzistojnë më. Po për mua mbeten të bukura, se janë të fillimit.

Bashkëpunimi me “Riinvest”-in përfshiu mësimdhënien në programet e masterit dhe studime të kërkimit shkencor, ku “Riinvest”-i patjetër ka meritën si një nga institucionet leader në Kosovë, me studime që përfshijnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin.

Kam qenë krenar që së bashku me profesoratin dhe stafin e “Riinvest”-it kemi punuar ngushtë për krijimin e programeve të para të specializuara në nivelin master në fushën e lëndëve të bankave bashkëkohore, Strategji të zhvillimit bankar, Financa ndërkombëtare, Menaxhimi i riskut bankar dhe Ekonomi zhvillimi. Me synimin e tërheqjes së një numri të konsiderueshëm studentësh që vinin jo vetëm nga bankat e shkollës, si proces normal i studimit, por edhe me përvoja direkt nga fusha e financës dhe e bankave, njerëz me dëshirë për të përditësuar njohuritë e tyre, për të rritur konkurrueshmërinë në treg dhe për t’u aftësuar më mirë. Një interes i admirueshëm nga ata që kërkonin dije, që kërkonin të kapnin kohën e humbur, një vullnet i paparë nga ata që nuk i ndërprenë studimet edhe në kushtet e vështira përpara luftës. Ishim me ta jo vetëm në raportin profesor – student, por edhe si miq, si vëllezër, si shokë. Kureshtja e tyre për të njohur më shumë për Shqipërinë, ashtu si imja për të njohur më shumë për Kosovën, ishte një shkollë më vete. Dhe për këtë më duhet ta falënderoj në mënyrë të veçantë “Riinvest”-in për mundësinë që më dha për të pasur më shumë shokë e miq në këtë anë të kufirit.

Marrëdhënia me studentët ishte njëra anë. Por po kaq e veçantë dhe emocionuese ishte marrëdhënia me stafin akademik të “Riinvest”-it. Një staf i përkushtuar për të garantuar si element të parë në tërheqjen e studentëve cilësinë akademike. Programet e hartuara dhe të rishikuara nga viti në vit ishin baza e suksesit të mësimdhënies. Nevojat e ekonomisë së re të Kosovës ishin themelet e punës kërkimore- shkencore. Këtu u përfshinë edhe shumë studentë nëpërmjet temave të kursit apo punimeve për diplomë. Ndërkohë që vetë stafi akademik ishte i angazhuar në shumë veprimtari të karakterit kombëtar dhe ndërkombëtar. Më ka impresionuar aftësia e tyre, sidomos në punë analitike, metodat e përparuara shkencore të kërkimit, niveli i lartë në fushën  e statistikës dhe IT-së, njohja shumë e mirë dhe lidhjet e tyre me shumë institucione publike e private në Kosovë e më gjerë. Kemi diskutuar shumë shpesh së bashku për rrugët e zhvillimit, për makroekonominë, për financat dhe bankat. Këto janë fusha që i dua shumë dhe nuk hezitoj të ndaj me këdo përvojën, eksperiencën, dijet e mia. I hapur ndaj kolegëve që sillnin eksperienca dhe këndvështrime origjinale, sidomos në veçoritë që paraqet ekonomia e Kosovës. Një bashkëbisedim dhe bashkëpunim që edhe tani që jam ministër i Financave, nuk e kam nënvleftësuar dhe, sa herë kam gjetur kohë, jam munduar të jem i pranishëm. Kjo, sepse në një mënyrë ose në një tjetër, dua apo s’dua unë, unë jam pjesë e këtij institucioni të nderuar.

“Riinvest”-i për mua është një pikëlidhje e fortë me Kosovën. Prandaj e vlerësoj, e çmoj, e nderoj dhe e vazhdoj. Faleminderit “Riinvest” për këtë eksperiencë të pazëvendësueshme! 

Arkiv

Baton Haxhiu

Më shumë

Agron Bajrami

Më shumë

Afërdita Saraçini

Më shumë

Arbana Xharra

Më shumë

Michael Weichert

Më shumë

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë