KOHA DITORE
Lajmi nuk vlen as për pesë pare, nëse nuk mbështetet në fakte. Në fakt, lajmi pa fakte as që është lajm! Por, ajo që njeriu e merr vesh si gazetar shumë shpejtë është se arritja deri tek faktet nuk është edhe punë aspak e lehtë. Përkundrazi! Zbulimi i fakteve, interpretimi i tyre në mënyrë të drejtë, dhe përfundimisht prezantimi i tyre para lexuesve në mënyrë kredibile, të besueshme, është ajo që e bën një artikull në gazetë të jetë i besueshëm.
Sigurisht, kjo vlen për çdo lloj raportimi, por posaçërisht peshon në raportimin e çështjeve ekonomike, ku njohuria e specializuar është shpesh herë e domosdoshme për të interpretuar një fakt, për të identifikuar një trend, për të përcjellë drejt një zhvillim, apo për të paraparë pasojat e mundshme për Kosovën dhe qytetarët e saj, madje edhe kur flasim për zhvillime globale që shumë kujt i janë dukur tepër të largëta për të ndikuar tek ne, sikur që ishin krizat financiare e ekonomike të disa viteve të fundit në Evropë dhe SHBA.
Instituti “Riinvest”, me analizat, raportet, konferencat e tryezat e organizuara gjatë gjithë kohës ka qenë faktori qendror në informimin rreth çështjeve ekonomike dhe zhvillimore. Ka qenë burim i fakteve për të parë ku kemi gabuar në të kaluarën, si duhet punuar sot dhe çka na pret në të ardhmen. Ka qenë interpretuesi i politikave që e zhytën Kosovën çdo herë edhe më thellë në baltën e stagnimit ekonomik, por edhe ofrues i alternativave si duhet dalë prej saj. Ka qenë aktiv në avokimin e çështjeve të vlefshme për shoqëri, si pjesë e asaj cope të vogël të shoqërisë civile të Kosovës që mbeti e angazhuar gjatë gjithë kohës. Ka ngritur zërin kundër politikave të dëmshme, pa marrë parasysh kush i ka sajuar ato, kush i ka sponsorisuar, dhe kush i ka përkrahur. Ka qenë, dhe mbetet institucion që punon në shërbim të qytetarit, dhe jo për interes të një grupi të ngushtë politik, ekonomik apo shoqëror, sikur shumë të tjerë.
Për këtë arsye, dhe për shumëçka tjetër, që nga themelimi 20 vite më parë e deri më sot, Instituti “Riinvest” ka qenë i pazëvendësueshëm, si për gazetarët ashtu edhe për publikun e gjerë. Posaçërisht Koha Ditore ka përfituar nga ekspertiza e Institutit “Riinvest”, analizat e të cilit na kanë shërbyer në misionin tonë të informimit të saktë, të drejtë dhe me kohë të publikut Kosovar për ngjarjet dhe perspektivat ekonomike. Ndërsa kolumnet e drejtorit të Institutit, Lumir Abdixhikut, janë bërë sinonim për analizë të saktë ekonomike të zhvillimeve që kanë ndodhur, dhe paralajmërim të hershëm për ato që do vijnë.
Në këtë kohë kur secili mund ta thotë atë që e mendon, madje edhe kur e ka gabim, vlera e fjalëve të mbështetura në fakte, sikur edhe interpretimi objektiv i tyre, është shtuar shumëfish. Ndërsa fjala e thënë nga Instituti “Riinvest”, peshon më shumë se çdo tjetër kur flasim për ekonominë.
Dhe jo vetëm ekonominë…