Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Tjerët për ne

ZERI

Arbana Xharra

Në rrethana dhe kohë të ndryshme, gjithçka sheh, lexon dhe kupton ndryshe. Katërmbëdhjetë vjet më parë, isha vetëm 19 vjeçe, kur nisa punën si gazetare. Një rrugëtim i ri për mua, plot sfida dhe të panjohura. Ekonomia ishte sektori i fundit që më kishte shkuar mendja se do ta mbuloja, për më shumë se dhjetë vjet gjatë karrierës sime. Nuk kisha njohuri në çështjet ekonomike, dhe aq më pak në leximin e linjave buxhetore, apo analizimin e interesave politike përmes numrave.

Por, gjeta një derë, që ishte çdoherë e hapur për mua, dhe një grup ekspertësh, që pa përtesë uleshin në tryezë për të më sqaruar të panjohurat, ato që në fakt definonin në thelb problemet esenciale të shtetndërtimit. Në fillim i lexoja thjesht si tekste dhe statistika, raportoja konferencat pa e kuptuar se kjo derë mobilizonte opinionin publik përmes medieve për çështje të mëdha ekonomike.

Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, nuk ishte thjesht një Institut për publikimin e raporteve, analizave dhe hulumtimeve. Ai sfidonte pushtetin me fakte dhe argumente. Rrethanat problematike të periudhës së vështirë në tranzicion, atëherë kur politika dominonte mbi ekonominë, ishin sfida të vazhdueshme, por “Riinvest”-i me përkushtim vazhdoi misionin e tij drejt avokimit të politikave zhvillimore, duke i qëndruar me llupë secilit që vinte, binte dhe sërish rikthehej në pushtet.

Nuk e kishte të panjohur ballafaqimin me degradimin, sepse “Riinvest”-i aktivitetin e tij e kishte nisur në një periudhë shumë më të rëndë, atë të regjimit të Milosheviqit. I themeluar në vitin 1995, vazhdoi për dy dekada me radhë, me përkushtim dhe profesionalizëm, në partneritet me organizata ndërkombëtare, duke u shndërruar gradualisht në faktorin më me ndikim të çështjeve ekonomike në opinionin publik të Kosovës.

Në secilën periudhë, për këto 20 vjet, “Riinvest”-i asnjëherë nuk iu nënshtrua politikës, përkundrazi duke e kritikuar me të gjeturat që prezantonte intensivisht përpara opinionit, ai ofronte edhe zgjidhje përmes strategjive për zhvillim ekonomik.

Ky Institut ishte nxitës i debateve për ambientin e investimeve në Kosovë, procesin e degraduar të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike, ndëmarrësisë, etj. “Riinvest”-i, njëkohësisht solli një frymë të panjohur për shoqërinë civile në Kosovë, model tjetër të ofrimit të zgjidhjeve, përcjellë me peshën e tij, duke ofruar jo vetëm të gjetura, por edhe ekspertiza të fushave të ndryshme ekonomike dhe politika alternative.

Me profesionalizëm rriti kredibilitetin e tij në vazhdimësi, dëshmonte degradimin që i bëhej Kosovës me fakte mbi tavolinë, por ndërkohë ofronte zgjidhje për qëndrueshmëri ekonomike. “Riinvest”-i tash sa vite ka prirë me iniciativa, përmes forumeve publike, konferencave, debateve, analizave e publikimeve. Influenca e tij është rritur bashkë me ekspertët që ka zhvilluar brenda tij. Instituti i parë i llojit “thinj-tank” në Kosovë, hapi dyert për një gjeneratë të re, e cila u rrit dhe u zhvillua brenda tij. “Riinvest”-i ka arritur të prezantohet me ekspertët më me influencë të çështjeve ekonomike në vend, promovuesit e frymës së re të diskursit publik.

Ai vazhdon të mbetet adresa më kredibile dhe luan rolin kyç në hapjen e debateve për sfidat ekonomike në vend. Jo rrallëherë, “Riinvest”-i ka ndryshuar rrjedhjen e ngjarjeve ekonomike duke hapur debat publik, me ndikim në ngjarjet më të rëndësishme të sektorëve ekonomikë në Kosovë.

Sot, 20 vjet nga themelimi i tij, dhe tash 14 vjet sa unë kam përcjellë nga afër punën e “Riinvest”-it, e lexoj, e shoh dhe e vlerësoj si adresën më kredibile, dhe jo vetëm në Kosovë, të avokimit të shtyllës kryesore në vend. ‘Riinvest”-i ka arritur të instalojë standardin më të lartë të mendësisë moderne ekonomike në vend!

Arkiv

Shkëlqim Cani

Më shumë

Baton Haxhiu

Më shumë

Agron Bajrami

Më shumë

Afërdita Saraçini

Më shumë

Michael Weichert

Më shumë

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë