Klan Kosova
Në kohën kur të gjithë vraponin për të bërë politikën, në “Riinvest” bënin institucionin. Kjo natyrë e angazhimit intelektual në kohën e pasluftës ishte vështirë e shpjegueshme. Por ka mbetur shumë pak e kuptueshme edhe në ditët e sotme, kur të gjithë dëshirojnë famën dhe paret brenda natës. “Riinvest” është ndër të rrallët që ka refuzuar modelin e kohës së pasluftës ku motoja kryesore ka qenë përmbysja e gjithçkaje që ka një prejardhje dhe që ka dijen si koncept. “Riinvest” ka refuzuar moton e pasluftës: “kanë ndryshuar kohët, kanë ndryshuar njerëzit, kanë ndryshuar vlerat-tash jemi ne që vendosim?!
“Riinvest” ka ndryshuar trendin duke relativizuar patriotizmin primitiv dhe ka vendosur kritere duke qenë të qartë me patriotizmin; se Patriotizmi është relativ.
“Riinvest” ka qenë i qartë se patriotizmi dhe dashuria ndaj vendit nuk barazohet vetëm me kapjen e pushkës; sepse kanë ditur me qartësi se për tjetrin patriotizmi, paraqet angazhimin konkret, material ose financiar; për të tretin, simbolika e flamurit është fillimi dhe mbarimi; për të katërtin, patriotizëm është ofrimi i një libri, një filmi kurse vet grupi i “Riinvest”-it kanë themeluar institutin e dijes.
Te ne, tash, në shumicën e rasteve suksesi dhe e arritura nuk e kanë as më të voglën ndërlidhje me intelektualen, me dijen, me institutet, dhe sukseset konjukturale janë në proporcion të zhdrejtë me ndikimin intelektual.
Kosova pas luftës ka refuzuar të ketë mendimin për dijen institucionale dhe ka qenë në krizë duke qenë pagjasa përballë yryshit të mediokritetit. “Riinvest”, për dallim të shumëkujt, ka refuzuar të gjitha trendet e gjetura rrugës dhe me heshtje pune e ndikim të vazhdueshëm është shndërruar në udhëheqës të transformimit të realitetit shoqëror dhe politik në Kosovë.
Se sa do të vlerësohet kjo në të ardhmen, nuk ka asnjë lidhje me Institutin, por me vetëdijen dhe moralin e atyre për të cilët u bë sakrifica.
Në shoqëritë ku ka mungesë rregulli, njerëzit e dijes janë nxitës të debatit shoqëror dhe kanë ndikim në analizimin ideor të proceseve të rëndësishme.
Të bëhesh intelektual i një instituti të pavarur i një populli të vogël dhe të pazhvilluar gjithmonë është vendim me peshë.
Fatkeqësia e vendeve si Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia është se vlerësimi i rolit të intelektualëve publikë është i lidhur ngushtë me ndryshimet politike në zgjedhje dhe në parti. Kjo nuk ka ndodhur me “Riinvest”-in. Lexuesit e eseve të grupit të “Riinvest”-it, pastaj analizave politike, ekonomike, sociologjike, filozofike, për religjionin, pushtetin, globalizimin, identitetin, ndryshimet gjeostrategjike, e të tjera, do ta kenë krijuar ndjenjën e krenarisë për pasjen e një Instituti publik shqiptar i cili ka kontribuar lokalisht në debatet e zhvilluara globalisht pa qenë të ndikuar nga politika. Është mëkat që ato nuk kanë marrë përmasat e seriozitetit të duhur në Kosovë për shkak të fitores së mediokritetit, dhe për fat të keq kanë mbetur vetëm brenda Kosovës. Në rrethana normale, çdo periudhë kohore e krijon gjeneratën e vet të intelektualëve të rëndësishëm publikë. Pastaj, me gradualitet bëhet ndryshimi i saj me gjeneratën pasuese.
Në Kosovë, deformimet në zhvillimet shoqërore e kanë pamundësuar fitoren maksimale të “Riinvest”-it, por ky Institut ka krijuar individë që e kanë mbajtur peshën e analizave ekonomike dhe sociale, për të gjithë. Prandaj, dhemb shumë pse kemi humbur kaq shumë kohë që nuk e kemi pranuar me kohë që “Riinvest” të jetë si udhërrëfyes i programit ekonomik dhe politik të institucioneve të Kosovës. “Riinvest” nuk është vetëm institut i njerëzve që krijuan, është dije dhe kulturë, njëkohësisht.