RTV 21
Viti 1995 shënon shumë hapa të rëndësishëm të ndërmarrë atëbotë në kuadër të shoqërisë civile. Njëri ndër hapat kryesorë dhe me shumë ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit është edhe themelimi i Institutit ‘Riinvest”. Instituti “Riinvest” në kushtet e paraluftës solli një informacion më shumë për të gjithë në Kosovë, sidomos gjatë viteve 1995-2000, ndërsa prej këtij viti e këndej Instituti “Riinvest” solli një frymë të re të të menduarit dhe një mendim tjetër lidhur me zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe rajon.
RTV21 gjatë kësaj periudhe Institutin “Riinvest” e kishte si pikë referimi për hulumtimet lidhur me zhvillimin ekonomik, gjithnjë duke u konsultuar dhe duke marrë mendimin e ekspertëve që kanë kontribuuar në këtë institut me vite.
Shumë çështje madhore ekonomike të vendit, shumë çështje që trajtoheshin edhe si tabu, janë trajtuar në debatet tona televizive, jo vetëm përmes konsultave të gazetarëve tanë me ekspertë të këtij Instituti, por edhe me pjesëmarrjen e ekspertëve në fjalë në debatet e tilla.
Instituti “Riinvest” ka dhënë kontributin e vet edhe përmes publikimeve të shumta mbi zhvillimin modern ekonomik të Kosovës, ka publikuar hulumtime mbi politikat për avancimin e bizneseve dhe krijimin e kushteve për bizneset sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme, dhe si i tillë edhe ka krijuar opinion publik lidhur me atë se si duhet krijuar kushtet dhe cili është drejtimi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.
Parametrat e Institutit “Riinvest” lidhur me zhvillimin ekonomik janë përmendur në debatet televizive në RTV21 jo vetëm nga ekspertë të këtij instituti, por edhe nga ekspertë tjerë, njohës të zhvillimit ekonomik si të vendit ashtu edhe të huaj.
Çështjet në të cilat janë ndalur ekspertët ekonomikë e që u janë referuar hulumtimeve të Institutit “Riinvest”, kryesisht kishin të bëjnë me tregun e punës dhe zbutjen e papunësisë, qëndrueshmëria ekonomike e Kosovës, pastaj hulumtimi i këtij instituti lidhur me investimet e jashtme direkte në Kosovë si dhe çështje tjera shumë vitale për ekonominë e Kosovës.
Njëzetvjetori i themelimit, Institutin “Riinvest” e gjen në një ambient ku ende kërkohet shumë punë dhe ku ky institut do ta ketë rolin e vet në mendimin kritik lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, gjithnjë duke u bazuar në hulumtimet dhe punën profesionale në përgjithësi që bën ky Institut në këtë fushë.