Nga Benet Maloku
Digjitalizimi i sistemit shëndetësor në Kosovë ka qenë pjesë e agjendave strategjike për mbi një dekadë dhe vazhdon të mbetet ende i ngelur rrugës përgjysmë dhe me vonesat shumë të mëdha ne përfundimin e Sistemit të Informacionit Shëndetësor (SISH). Në praktikë, metodat manuale anakronike mbeten të përdorura gjerësisht, ndërsa disa zgjidhje digjitale janë zbatuar vetëm pjesërisht në institucionet shëndetësore. Niveli i integrimit dhe funksionaliteti i sistemeve aktuale mbeten të kufizuara, kështu që digjitalizimi i sektorit shëndetësor mbetet një proces i papërfunduar me vonesa kronike.
Për shkak të këtyre problemeve një pjesë e madhe e dokumentacionit dhe proceseve që ndërlidhen me kujdesin shëndetësor ende mbështetet në dosje letre, formularë të shkruar me dorë dhe referime manuale. Nuk është e pazakontë që pacientëve t’u dorëzohet një letër e verdhë, ku u thuhet se duhet të hapin “historinë mjekësore” në klinikë – një letër ku është shkruar me stilolaps, ku më pas fillon rrugëtimi i pacientit për të arritur deri te destinacioni final i “hapjes së historisë”. Po ashtu, janë të shpeshtë skenarët si marrja e numrit në automatin digjital, vetëm për të shkaktuar konfuzion, sepse ai numër nuk funksionon – pacienti duhet të regjistrohet në mënyrë manuale sërish në sportel, ndërsa ekranet paraqesin vetëm “Welcome” në vend të radhës sipas numrave të tërhequr. Mungon ende komunikimi digjital mes klinikave dhe QMF-ve, ku pacientëve u thuhet gojarisht dhe u dorëzohet një letër me të cilën duhet të shkojnë në klinikën referuese, duke krijuar kështu dosje të shpërndara në të gjitha institucionet. Të gjitha këto mund të shkaktojnë vonesa në kohën dhe cilësinë e trajtimit të pacientëve – kohë kjo shpesh shumë e kufizuar dhe e vlefshme për pacientin – si dhe ulje të efikasitetit të ofrimit të shërbimeve mjekësore.
Digjitalizimi i të dhënave dhe proceseve të sistemit shëndetësor, më konkretisht zhvillimi i SISH-it, ka qenë një premtim dhe synim i hershëm, i përmendur në dokumente strategjike si Strategjitë Sektoriale të Shëndetësisë qysh në vitin 2010, pastaj sërish në vitin 2017, dhe më pas në vitin 2025. Me Strategjinë e Re Sektoriale të Shëndetësisë është paraparë që të zhvillohet sistemi digjital shëndetësor gjithëpërfshirës, si dhe i sistemeve specifike si Sistemi Bazik Informativ Shëndetësor, Sistemi Informativ Spitalor, Sistemi Informativ Laboratorik dhe Sistemi Informativ i Emergjencës deri në vitin 2030. Duke marrë parasysh zgjatjet prej më shumë se një dekade në zhvillimin e SISH-it gjithëpërfshirës, ky afat duket tepër komod dhe i vonuar, sidomos kur dihet se ky fakt e kushtëzon zbatimin e Sistemit te Sigurimit Shëndetësor. Sistemi Bazik Informativ Shëndetësor është shtrirë në mbi gjysmën e institucioneve të kujdesit parësor. Megjithatë, sipas të dhënave nga Banka Botërore, ky sistem ende është i fragmentuar-me ndërlidhje të kufizuar me sistemet e tjera, mos funksionalitet të plotë, nivel të ulët të regjistrimit të pacientëve dhe shfrytëzimit të moduleve. Duhet theksuar se një progres u arrit gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, kur shumica e të vaksinuarve ishin regjistruar në këtë sistem. Po ashtu, disa klinika kanë të integruar sistemin e tyre informativ shëndetësor (Klinka e Stomatologjisë), ndërsa në aspektin e shërbimeve shëndetësore direkte për qytetarët disa prej tyre janë integruar në platformën eKosova.
Në një situatë ideale, do të ishte e mundur që pacienti të kishte një “dosje digjitale” të integruar dhe nga ajo pikë të bëheshin të gjitha ndërhyrjet në historinë e pacientit—ndërsa kjo dosje do të mund të shkëmbehej ndërmjet institucioneve shëndetësore përmes interoperabilitetit të sistemeve. Në këtë rast pacienti do të ishte më i informuar rreth gjendjes shëndetësore, ndërsa stafi shëndetësor i njohur me anamnezën dhe trajtimin në kohë reale. Një sistem gjithëpërfshirës i mjekësisë digjitale do të mundësonte që të dhënat të shkëmbeheshin pa pengesa mes institucioneve shëndetësore, të rritej efikasiteti i shërbimit shëndetësor përmes uljes së kohës së vendimmarrjes, si dhe të krijohej një pasqyrë e qartë statistikore e sëmundjeve dhe trajtimeve—çka do të ndihmonte në studimin e rasteve dhe në parandalimin në të ardhmen. Për më tepër, sistemet digjitale mund të përmirësojnë transparencën në prokurim dhe shpërndarjen e barnave, por edhe informacionet lidhur me produktivitetin e stafit mjekësor dhe përdorimin efektiv të burimeve njerëzore.
Megjithatë, sfida të rëndësishme qëndrojnë përpara siç është kostoja dhe qëndrueshmëria e infrastrukturës. Krijimi dhe mirëmbajtja e një infrastrukture digjitale kërkon burime financiare të konsiderueshme—jo vetëm për teknologjinë, por edhe për trajnimin e stafit, sigurinë kibernetike dhe mbështetjen e vazhdueshme teknike. Partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur interes për të mbështetur iniciativat digjitale ndërsa qëndrueshmëria afatgjatë e sistemit përfundimisht do të varet nga institucionet vendore. Privatësia dhe siguria paraqesin një tjetër çështje të rëndësishme. Pa masa të forta sigurie, të dhënat e pacientëve mund të jenë të rrezikuara nga keqpërdorimi apo defektet teknike. Digjitalizimi i shërbimeve, jo domosdoshmërish ofron qasje të barabartë: ndërsa popullsia e re mund të qaset lehtësisht, pacientët më të moshuar mund të përballen me vështirësi në përdorimin e mjeteve digjitale. Rasti më ilustrativ është regjistrimi gjatë pandemisë në portalin shtetëror eKosova, ku të moshuarit hasën vështirësi në hapjen e adresave elektronike dhe në krijimin e profileve personale. Po ashtu profesionistët shëndetësorë do të kenë nevojë për trajnim të gjerë për t’i përdorur sistemet e reja në mënyrë efektive. Pra pa një përgatitje-edukim rreth përdorimit të këtyre mjeteve, tranzicioni nga metodat manuale në ato digjitale mund të sjellë konfuzion apo rezistencë në përdorimin e tyre. Por e gjithë kjo është punë për tu bërë sa më shpejtë kur dihen përfitimet e mëdha nga rritja e cilësisë dhe efektivitetit në QKU, spitalet rajonale dhe QMF. Prandaj Ministria e Shëndetësisë duhet domosdo të ristrukturojë agjendën dhe ta përgjysmojë kohën e paraparë për përfundimin e SISH.
Së fundi, përvoja e Kosovës me projektet pilot në të kaluarën ngre pyetje për vazhdimësinë dhe koordinimin. Një qasje e suksesshme kërkon planifikim të kujdesshëm, konsultim të gjerë dhe pritshmëri realiste. Duhet shpejtuar ritmi i shtrirjes së infrastrukturës së sistemeve aktuale dhe atyre të planifikuara, në mënyrë që të zvogëlohet hendeku në efikasitetin e ofrimit të shërbimeve dhe informacionit shëndetësor. Pa veprime të koordinuara dhe angazhim, digjitalizimi i sektorit shëndetësor rrezikon të zvarritet, ndërkohë që stafi mjekësor dhe pacientët vazhdojnë të lëvizin me letra në duar — në një kohë kur bota po përgatitet për të ardhmen për të siguruar mbështetje nga Inteligjenca Artificiale (IA) dhe nga Të Dhënat e Mëdha (Big Data).