Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Tjerët për ne

Publicist

Veton Surroi

Kur para njëzet vjetësh Muhamet Mustafa më kërkoi një nder, që të shkruaja një letër përkrahëse CIPE-s (Qendrës Ndërkombëtare për Ndërmarrësi Private) në Uashington, nuk dija saktësisht se çka është ajo që unë duhej të përkrahja. Më tingëllonte si emër ndërmarrjeje, “Riinvest”, d.m.th. aktivitet komercial që çon kah ri-investimi. Asokohe, më 1995, ndërmarrësia dhe çdo aspekt tjetër i jetës në Kosovë ishte e ndrydhur nën okupimin serb dhe vetëm ideja se dikush po fillonte një iniciativë të re ishte njëkohësisht e lodhshme (për shkak të vështirësive lehtë të evidentueshme nga pushteti serb) dhe sfiduese (për shkak se ende kishte energji për të filluar gjë, ani pse diheshin vështirësitë).

Kisha besim te shpjegimi i Muhamet Mustafës, se po planifikohej një institut që do të merrej me ekonomi, që do të analizonte rrjedhat ekonomike dhe do të përgatiste vizionin për ardhmëri. Në Kosovën e okupuar, që të gjithë ishim ëndërrimtarë, që të gjithë jetonim dhe vepronim me ëndrrën se okupimit do t’i vinte fundi. Ëndrra e “Riinvest”-it mu duk si pjesë e një ëndrre të projektuar mirë: një ditë, kur të çliroheshim, do të na duhen njerëz dhe ide për të ngritur në këmbë ekonominë e vendit të cilën okupimi po e fundoste qëllimisht.

Ky besim në ëndrrën e themeluesve të “Riinvest”-it më bëri të ndihem i shpërblyer gjatë gjithë këtyre viteve të jetës së “Riinvest”-it. Gjatë këtyre viteve, ndërsa merrja pjesë në konferenca ndërkombëtare të instituteve e organizatave të tjera me nam në botë, zëri pjesëmarrës i “Riinvest”-it, qoftë si diskutues, qoftë si material analitik për debat (i cituar nga diskutuesit, përfshirë edhe mua), krijonte nivelin e seriozitetit që argumenteve për dhe rreth Kosovës u jepte besueshmërinë e duhur.

Më 1999, kur duhej të nisej delegacioni kosovar për në Rambouillet, kërkova ndihmën e Muhamet Mustafës dhe ekspertëve të tjerë të “Riinvest”-it, në mënyrë që, po qe nevoja, delegacioni i Kosovës të këshillohej me të shpejtë për çështjet ekonomike, me çështje të larmishme, si për shembull rregullimi i marrëdhënieve tatimore mes Kosovës e Serbisë në kohën kur Kosova duhej të ishte nën protektorat apo për çështjen e sukcesionit (përfshirë këtu pronat dhe borxhet ndërkombëtare).

Asokohe konstatova një shpërputhje mes këshillës dhe të këshilluarit: “Riinvest”-i ishte në rrugë të mirë të krijonte një këshillë konsistente ekonomike, por Kosova nuk ishte në rrugë të mirë të krijonte udhëheqje që do të dëgjonte atë, këshillën konsistente ekonomike.

Në këtë ambient, pak a shumë, është zhvilluar aktiviteti i “Riinvest”-it pas çlirimit. Në këtë ambient ky Institut mund të mos ketë prodhuar shumë këshilla që të jenë dëgjuar prej pushteteve, qoftë atij ndërkombëtar, qoftë atij vendor në Kosovë, por me një konsistencë ka krijuar gjenerata të reja studiuesish e praktikuesish,të cilët ruajnë sa dinjitetin e tyre akademik aq edhe pavarësinë nga nënshtrimi, qoftë politikës qoftë parapolitikës dhe presioneve të saj.

Gjatë gjithë këtyre viteve, pjesëmarrja e “Riinvest”-it në tryezat e shoqërisë civile ka qenë një domosdoshmëri edhe në kuptimin e thellësisë së debatit, edhe si dëshmi evidente se në Kosovë ka mendim kreativ e analitik, ani pse ai nuk dëgjohet në institucionet shtetërore.

Sot, në të mbushur 20 vjet , “Riinvest”-i është i përgatitur për një kohë tjetër, kur do të çlirohemi nga primitivizmi në elita udhëheqëse, kur në këtë vend të mos ekzistojë shpërputhja mes kapacitetit për të dhënë këshilla dhe mungesës së kapacitetit për t’i pranuar ato.

Arkiv

Baton Haxhiu

Më shumë

Agron Bajrami

Më shumë

Afërdita Saraçini

Më shumë

Arbana Xharra

Më shumë

Michael Weichert

Më shumë

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë