Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Tjerët për ne

Kam qenë i lidhur me Institutin “Riinvest” qysh nga viti 1998 dhe i kam vizituar ata disa herë gjatë çdo viti që nga atëherë. Kam punuar me ta në projekte të ndryshme kërkimore, kon­ferenca dhe aktivitete edukative siç janë ato të shkollave verore. I kam shikuar duke lëvizur nga një vend në tjetrin çdo vit dhe kam vërejtur fytyra të reja çdo herë që i kam vizituar. Unë i kam parë ata të rriten jo vetëm në numër, por më e rëndësishmja në cilësinë e punës së tyre dhe pjekurinë e stafit të tyre të ri. Kam parë udhëheqjen e Institutit duke u transferuar nga brezi i vjetër, themeluesit, te brezi i ri, i cili ka punuar shumë për t’i arritur këto avancime, zhvillimin e njohurive të tyre, kualifikimet dhe aftësitë gjatë këtij rrugëtimi. Derisa në vitet e mëparshme ata u mbështetën shumë në ndihmën e konsulentëve të huaj për projektet e tyre, gradualisht zhvilluan dhe ndërtuan aftësitë dhe kapacitetet e tyre, kështu që pjesën më të madhe të punës tani e bëjnë vetë pa pasur nevojë të kenë ndonjë konsulent të huaj pranë.

Ky ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm për Institutin “Riinvest”, themeluesit e tij, udhëheqësit e tanishëm , atij të kaluarit si dhe stafit të tij. Përgjatë viteve, Instituti ka qenë një terren trajnimi për shumë të rinj kosovarë, të cilët ka punuar atje për disa vjet rresht dhe janë zhvendosur për të punuar në institucione dhe kompani të tjera, ku kanë përdorur atë që kanë mësuar në “Riinvest”. Instituti “Riinvest” ka qenë fantastik në investimin e tij në kapitalin njerëzor dhe, edhe pse jo gjithmonë ka pasur përfitim të drejtpërdrejtë nga ky investim, të paktën ka bërë një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e nivelit intelektual dhe akademik te disa gjenerata të studiuesve dhe akademikëve të Kosovës.

Tre faktorë e kanë bërë “Riinvest”-in të veçantë për mua. Së pari, ata gjithmonë kanë punuar me integritet dhe pavarësi dhe kurrë nuk u janë nënshtruar ndikimeve dhe presioneve politike. Ata asnjëherë nuk kanë qenë të varur nga Qeveria dhe për këtë arsye kanë qenë në gjendje që t’i ndjekin dhe realizojnë objektivat e tyre pa u shqetësuar në lidhje me reagimin e qeverisë apo donatorëve për hetimet e tyre. Ata mund të kenë paguar një çmim për pavarësinë dhe integritetin e tyre, por ia ka vlejtur.

Së dyti, ata kanë qenë gjithmonë të gatshëm që të mbështesin stafin e tyre të ri, në mënyrë që t’i përmirësojnë njohuritë e tyre dhe të rrisin nivelin e tyre intelektual për t’u bërë hulumtues më të mirë. Edhe pse shumë prej tyre u larguan nga Instituti pas arritjes së kualifikimeve më të larta, kjo nuk e ndali Institutin që t’i përkrahë gjeneratat e ardhshme të stafit të tyre. Përkundrazi, ata vazhduan të ofrojnë mundësi të vetëpërmirësimit për stafin e tyre pavarësisht nëse ata vendosnin të qëndronin me institutin apo jo. Jo shumë institucione këtu në Kosovë ose në vendet perëndimore janë aq bujare me stafin e tyre. Por pastaj, jo shumë institucione në Kosovë ose në vendet perëndimore gëzojnë një respekt dhe dashuri të tillë nga ana e stafit të tyre aktual apo të mëparshëm .

Së treti “Riinvest”-i ka luajtur edhe rolin e një organizate serioze të shoqërisë civile, duke inkurajuar përfshirjen e qytetarëve në debatimin e çështjeve, të cilat kanë pasur ndikim të rëndësishëm në shoqëri dhe ngritjen e vetëdijes publike për shumë çështje- duke filluar nga metodat alternative të privatizimit të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore në fillim të viteve 2000, qeverisjen korporative të bankave dhe ndërmarrjeve të mëdha publike në fund të 2000-s , dhe debati i tanishëm mbi Kompleksin e Minierave të Trepçës. Ky është një shërbim ndaj shoqërisë, i cili nuk është ofruar asnjëherë nga organizata të tjera.

Në 20 vjetët e fundit, Instituti “Riinvest” ka shkuar nga fuqia ose forca, ka zgjeruar shtrirjen dhe cilësinë e punës së tij në mënyrë të konsider­ueshme dhe, çka është më me rëndësi, falë themeluesve të tij, brezat e rinj kanë marrë përsipër drejtimin e Institutit. Instituti ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për kapitalin njerëzor dhe zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Unë i përgëzoj themeluesit, të përfaqësuar nga profesor Muhamet Mustafa dhe gjeneratën e re të liderëve, të përfaqësuar nga Dr. Lumir Abdixhiku. Le të vazhdojë puna juaj e mirë edhe për shumë mote.

Kur para njëzet vjetësh Muhamet Mustafa më kërkoi një nder, që të shkruaja një letër përkrahëse CIPE-s (Qendrës Ndërkombëtare për Ndërmarrësi Private) në Uashington, nuk dija saktësisht se çka është ajo që unë duhej të përkrahja. Më tingëllonte si emër ndërmarrjeje, “Riinvest”, d.m.th. aktivitet komercial që çon kah ri-investimi. Asokohe, më 1995, ndërmarrësia dhe çdo aspekt tjetër i jetës në Kosovë ishte e ndrydhur nën okupimin serb dhe vetëm ideja se dikush po fillonte një iniciativë të re ishte njëkohësisht e lodhshme (për shkak të vështirësive lehtë të evidentueshme nga pushteti serb) dhe sfiduese (për shkak se ende kishte energji për të filluar gjë, ani pse diheshin vështirësitë).

Kisha besim te shpjegimi i Muhamet Mustafës, se po planifikohej një institut që do të merrej me ekonomi, që do të analizonte rrjedhat ekonomike dhe do të përgatiste vizionin për ardhmëri. Në Kosovën e okupuar, që të gjithë ishim ëndërrimtarë, që të gjithë jetonim dhe vepronim me ëndrrën se okupimit do t’i vinte fundi. Ëndrra e “Riinvest”-it mu duk si pjesë e një ëndrre të projektuar mirë: një ditë, kur të çliroheshim, do të na duhen njerëz dhe ide për të ngritur në këmbë ekonominë e vendit të cilën okupimi po e fundoste qëllimisht.

Ky besim në ëndrrën e themeluesve të “Riinvest”-it më bëri të ndihem i shpërblyer gjatë gjithë këtyre viteve të jetës së “Riinvest”-it. Gjatë këtyre viteve, ndërsa merrja pjesë në konferenca ndërkombëtare të instituteve e organizatave të tjera me nam në botë, zëri pjesëmarrës i “Riinvest”-it, qoftë si diskutues, qoftë si material analitik për debat (i cituar nga diskutuesit, përfshirë edhe mua), krijonte nivelin e seriozitetit që argumenteve për dhe rreth Kosovës u jepte besueshmërinë e duhur.

Më 1999, kur duhej të nisej delegacioni kosovar për në Rambouillet, kërkova ndihmën e Muhamet Mustafës dhe ekspertëve të tjerë të “Riinvest”-it, në mënyrë që, po qe nevoja, delegacioni i Kosovës të këshillohej me të shpejtë për çështjet ekonomike, me çështje të larmishme, si për shembull rregullimi i marrëdhënieve tatimore mes Kosovës e Serbisë në kohën kur Kosova duhej të ishte nën protektorat apo për çështjen e sukcesionit (përfshirë këtu pronat dhe borxhet ndërkombëtare).

Asokohe konstatova një shpërputhje mes këshillës dhe të këshilluarit: “Riinvest”-i ishte në rrugë të mirë të krijonte një këshillë konsistente ekonomike, por Kosova nuk ishte në rrugë të mirë të krijonte udhëheqje që do të dëgjonte atë, këshillën konsistente ekonomike.

Në këtë ambient, pak a shumë, është zhvilluar aktiviteti i “Riinvest”-it pas çlirimit. Në këtë ambient ky Institut mund të mos ketë prodhuar shumë këshilla që të jenë dëgjuar prej pushteteve, qoftë atij ndërkombëtar, qoftë atij vendor në Kosovë, por me një konsistencë ka krijuar gjenerata të reja studiuesish e praktikuesish,të cilët ruajnë sa dinjitetin e tyre akademik aq edhe pavarësinë nga nënshtrimi, qoftë politikës qoftë parapolitikës dhe presioneve të saj.

Gjatë gjithë këtyre viteve, pjesëmarrja e “Riinvest”-it në tryezat e shoqërisë civile ka qenë një domosdoshmëri edhe në kuptimin e thellësisë së debatit, edhe si dëshmi evidente se në Kosovë ka mendim kreativ e analitik, ani pse ai nuk dëgjohet në institucionet shtetërore.

Sot, në të mbushur 20 vjet , “Riinvest”-i është i përgatitur për një kohë tjetër, kur do të çlirohemi nga primitivizmi në elita udhëheqëse, kur në këtë vend të mos ekzistojë shpërputhja mes kapacitetit për të dhënë këshilla dhe mungesës së kapacitetit për t’i pranuar ato.

Lidhja dhe bashkëpunimi me Kosovën, pjesë e kombit shqiptar, ka qenë një ëndërr e kahershme. Për shkak të rrethanave të kushtëzuara nga regjimet politike si në Shqipëri, edhe në Kosovë, dhe për shkak të ngjarjeve që bënë histori në fund shekullin e 20-të për kombin shqiptar, mundësia e bashkëpunimit ishte rreptësisht e kufizuar dhe ëndrra mbeti ëndërr...

Por jo pafund. Ngjarjet që pasuan luftën e vitit 1999 hapën një faqe krejt të re për Kosovën, të cilat u finalizuan me shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Ishte kurorëzim, ku edhe ne ndjeheshim si kontribuues sadopak. Kjo sepse që në vitin 2007 kisha filluar bashkëpunimin me “Riinvest”-in.

Bashkëpunimi me “Riinvest”-in filloi me zjarrin dhe dëshirën e njohjes së pjesës tjetër shqiptare, aq e afërt dhe aq e largët. E prita me kënaqësinë më të madhe propozimin për bashkëpunim dhe njëkohësisht me emocionet e një gjëje të re. Përgjegjësia e kontributit, e pjesëmarrjes në jetën akademike në Kosovë dhe e edukimit të brezit të ri të pasluftës ishin të mbuluara nga ndjesi të veçanta. Për shkak të mosnjohjes shumë të mirë të situatës, mbaj mend se sa pyetje më pushtonin. Duke filluar që nga gjuha, nga fjalori që duhet të përdorja, nga ritmi i të folurit... e kështu me radhë. Sigurisht që sot tingëllojnë si fëmijërore, por sot jemi 8 vjet më pas që kanë njohur zhvillim të paparë. Si në shumë fusha të tjera, edhe këto hamendësi nuk ekzistojnë më. Po për mua mbeten të bukura, se janë të fillimit.

Bashkëpunimi me “Riinvest”-in përfshiu mësimdhënien në programet e masterit dhe studime të kërkimit shkencor, ku “Riinvest”-i patjetër ka meritën si një nga institucionet leader në Kosovë, me studime që përfshijnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin.

Kam qenë krenar që së bashku me profesoratin dhe stafin e “Riinvest”-it kemi punuar ngushtë për krijimin e programeve të para të specializuara në nivelin master në fushën e lëndëve të bankave bashkëkohore, Strategji të zhvillimit bankar, Financa ndërkombëtare, Menaxhimi i riskut bankar dhe Ekonomi zhvillimi. Me synimin e tërheqjes së një numri të konsiderueshëm studentësh që vinin jo vetëm nga bankat e shkollës, si proces normal i studimit, por edhe me përvoja direkt nga fusha e financës dhe e bankave, njerëz me dëshirë për të përditësuar njohuritë e tyre, për të rritur konkurrueshmërinë në treg dhe për t’u aftësuar më mirë. Një interes i admirueshëm nga ata që kërkonin dije, që kërkonin të kapnin kohën e humbur, një vullnet i paparë nga ata që nuk i ndërprenë studimet edhe në kushtet e vështira përpara luftës. Ishim me ta jo vetëm në raportin profesor – student, por edhe si miq, si vëllezër, si shokë. Kureshtja e tyre për të njohur më shumë për Shqipërinë, ashtu si imja për të njohur më shumë për Kosovën, ishte një shkollë më vete. Dhe për këtë më duhet ta falënderoj në mënyrë të veçantë “Riinvest”-in për mundësinë që më dha për të pasur më shumë shokë e miq në këtë anë të kufirit.

Marrëdhënia me studentët ishte njëra anë. Por po kaq e veçantë dhe emocionuese ishte marrëdhënia me stafin akademik të “Riinvest”-it. Një staf i përkushtuar për të garantuar si element të parë në tërheqjen e studentëve cilësinë akademike. Programet e hartuara dhe të rishikuara nga viti në vit ishin baza e suksesit të mësimdhënies. Nevojat e ekonomisë së re të Kosovës ishin themelet e punës kërkimore- shkencore. Këtu u përfshinë edhe shumë studentë nëpërmjet temave të kursit apo punimeve për diplomë. Ndërkohë që vetë stafi akademik ishte i angazhuar në shumë veprimtari të karakterit kombëtar dhe ndërkombëtar. Më ka impresionuar aftësia e tyre, sidomos në punë analitike, metodat e përparuara shkencore të kërkimit, niveli i lartë në fushën  e statistikës dhe IT-së, njohja shumë e mirë dhe lidhjet e tyre me shumë institucione publike e private në Kosovë e më gjerë. Kemi diskutuar shumë shpesh së bashku për rrugët e zhvillimit, për makroekonominë, për financat dhe bankat. Këto janë fusha që i dua shumë dhe nuk hezitoj të ndaj me këdo përvojën, eksperiencën, dijet e mia. I hapur ndaj kolegëve që sillnin eksperienca dhe këndvështrime origjinale, sidomos në veçoritë që paraqet ekonomia e Kosovës. Një bashkëbisedim dhe bashkëpunim që edhe tani që jam ministër i Financave, nuk e kam nënvleftësuar dhe, sa herë kam gjetur kohë, jam munduar të jem i pranishëm. Kjo, sepse në një mënyrë ose në një tjetër, dua apo s’dua unë, unë jam pjesë e këtij institucioni të nderuar.

“Riinvest”-i për mua është një pikëlidhje e fortë me Kosovën. Prandaj e vlerësoj, e çmoj, e nderoj dhe e vazhdoj. Faleminderit “Riinvest” për këtë eksperiencë të pazëvendësueshme! 

Në kohën kur të gjithë vraponin për të bërë politikën, në “Riinvest” bënin institucionin. Kjo natyrë e angazhimit intelektual në kohën e pasluftës ishte vështirë e shpjeg­ueshme. Por ka mbetur shumë pak e kuptueshme edhe në ditët e sotme, kur të gjithë dëshirojnë famën dhe paret brenda natës. “Riinvest” është ndër të rrallët që ka refuzuar modelin e kohës së pasluftës ku motoja kryesore ka qenë përmbysja e gjithçkaje që ka një prejardhje dhe që ka dijen si koncept. “Riinvest” ka refuzuar moton e pasluftës: “kanë ndryshuar kohët, kanë ndryshuar njerëzit, kanë ndryshuar vlerat-tash jemi ne që vendosim?!

“Riinvest” ka ndryshuar trendin duke relativizuar patriotizmin prim­itiv dhe ka vendosur kritere duke qenë të qartë me patriotizmin; se Patriotizmi është relativ.

“Riinvest” ka qenë i qartë se patriotizmi dhe dashuria ndaj vendit nuk barazohet vetëm me kapjen e pushkës; sepse kanë ditur me qartësi se për tjetrin patriotizmi, paraqet angazhimin konkret, material ose financiar; për të tretin, simbolika e flamurit është fillimi dhe mbarimi; për të katërtin, patriotizëm është ofrimi i një libri, një filmi kurse vet grupi i “Riinvest”-it kanë themeluar institutin e dijes.

Te ne, tash, në shumicën e rasteve suksesi dhe e arritura nuk e kanë as më të voglën ndërlidhje me intelektualen, me dijen, me institutet, dhe sukseset konjukturale janë në proporcion të zhdrejtë me ndikimin intelektual.

Kosova pas luftës ka refuzuar të ketë mendimin për dijen insti­tucionale dhe ka qenë në krizë duke qenë pagjasa përballë yryshit të mediokritetit. “Riinvest”, për dallim të shumëkujt, ka refuzuar të gjitha trendet e gjetura rrugës dhe me heshtje pune e ndikim të vazhdue­shëm është shndërruar në udhëheqës të transformimit të realitetit shoqëror dhe politik në Kosovë.

Se sa do të vlerësohet kjo në të ardhmen, nuk ka asnjë lidhje me In­stitutin, por me vetëdijen dhe moralin e atyre për të cilët u bë sakrifica.

Në shoqëritë ku ka mungesë rregulli, njerëzit e dijes janë nxitës të debatit shoqëror dhe kanë ndikim në analizimin ideor të proceseve të rëndësishme.

Të bëhesh intelektual i një instituti të pavarur i një populli të vogël dhe të pazhvilluar gjithmonë është vendim me peshë.

Fatkeqësia e vendeve si Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia është se vlerësimi i rolit të intelektualëve publikë është i lidhur ngushtë me ndryshimet politike në zgjedhje dhe në parti. Kjo nuk ka ndodhur me “Riinvest”-in. Lexuesit e eseve të grupit të “Riinvest”-it, pastaj analizave politike, ekonomike, sociologjike, filozofike, për religjionin, pushtetin, globalizimin, identitetin, ndryshimet gjeostrategjike, e të tjera, do ta kenë krijuar ndjenjën e krenarisë për pasjen e një Instituti publik shqiptar i cili ka kontribuar lokalisht në debatet e zhvilluara globalisht pa qenë të ndikuar nga politika. Është mëkat që ato nuk kanë marrë përmasat e seriozitetit të duhur në Kosovë për shkak të fitores së mediokritetit, dhe për fat të keq kanë mbetur vetëm brenda Kosovës. Në rrethana normale, çdo periudhë kohore e krijon gjeneratën e vet të intelektualëve të rëndësishëm publikë. Pastaj, me gradualitet bëhet ndryshimi i saj me gjeneratën pasuese.

Në Kosovë, deformimet në zhvillimet shoqërore e kanë pamundësu­ar fitoren maksimale të “Riinvest”-it, por ky Institut ka krijuar individë që e kanë mbajtur peshën e analizave ekonomike dhe sociale, për të gjithë. Prandaj, dhemb shumë pse kemi humbur kaq shumë kohë që nuk e kemi pranuar me kohë që “Riinvest” të jetë si udhërrëfyes i programit ekonomik dhe politik të institucioneve të Kosovës. “Riinvest” nuk është vetëm institut i njerëzve që krijuan, është dije dhe kulturë, njëkohësisht. 

 

Lajmi nuk vlen as për pesë pare, nëse nuk mbështetet në fakte. Në fakt, lajmi pa fakte as që është lajm! Por, ajo që njeriu e merr vesh si gazetar shumë shpejtë është se arritja deri tek faktet nuk është edhe punë aspak e lehtë. Përkundrazi! Zbulimi i fakteve, interpretimi i tyre në mënyrë të drejtë, dhe përfundimisht prezantimi i tyre para lexuesve në mënyrë kredibile, të besueshme, është ajo që e bën një artikull në gazetë të jetë i besueshëm.

Sigurisht, kjo vlen për çdo lloj raportimi, por posaçërisht peshon në raportimin e çështjeve ekonomike, ku njohuria e specializuar është shpesh herë e domosdoshme për të interpretuar një fakt, për të identifikuar një trend, për të përcjellë drejt një zhvillim, apo për të paraparë pasojat e mundshme për Kosovën dhe qytetarët e saj, madje edhe kur flasim për zhvillime globale që shumë kujt i janë dukur tepër të largëta për të ndikuar tek ne, sikur që ishin krizat financiare e ekonomike të disa viteve të fundit në Evropë dhe SHBA.

Instituti “Riinvest”, me analizat, raportet, konferencat e tryezat e organizuara gjatë gjithë kohës ka qenë faktori qendror në in­formimin rreth çështjeve ekonomike dhe zhvillimore. Ka qenë burim i fakteve për të parë ku kemi gabuar në të kaluarën, si duhet punuar sot dhe çka na pret në të ardhmen. Ka qenë interpretuesi i politikave që e zhytën Kosovën çdo herë edhe më thellë në baltën e stagnimit ekonomik, por edhe ofrues i alternativave si duhet dalë prej saj. Ka qenë aktiv në avokimin e çështjeve të vlefshme për shoqëri, si pjesë e asaj cope të vogël të shoqërisë civile të Kosovës që mbeti e angazhuar gjatë gjithë kohës. Ka ngritur zërin kundër politikave të dëmshme, pa marrë parasysh kush i ka sajuar ato, kush i ka sponsorisuar, dhe kush i ka përkrahur. Ka qenë, dhe mbetet institucion që punon në shërbim të qytetarit, dhe jo për interes të një grupi të ngushtë politik, ekonomik apo shoqëror, sikur shumë të tjerë.

Për këtë arsye, dhe për shumëçka tjetër, që nga themelimi 20 vite më parë e deri më sot, Instituti “Riinvest” ka qenë i pazëvendësue­shëm, si për gazetarët ashtu edhe për publikun e gjerë. Posaçërisht Koha Ditore ka përfituar nga ekspertiza e Institutit “Riinvest”, analizat e të cilit na kanë shërbyer në misionin tonë të informimit të saktë, të drejtë dhe me kohë të publikut Kosovar për ngjarjet dhe perspektivat ekonomike. Ndërsa kolumnet e drejtorit të Institutit, Lumir Abdixhi­kut, janë bërë sinonim për analizë të saktë ekonomike të zhvillimeve që kanë ndodhur, dhe paralajmërim të hershëm për ato që do vijnë.

Në këtë kohë kur secili mund ta thotë atë që e mendon, madje edhe kur e ka gabim, vlera e fjalëve të mbështetura në fakte, sikur edhe interpretimi objektiv i tyre, është shtuar shumëfish. Ndërsa fjala e thënë nga Instituti “Riinvest”, peshon më shumë se çdo tjetër kur flasim për ekonominë.

Dhe jo vetëm ekonominë… 

Viti 1995 shënon shumë hapa të rëndësishëm të ndërmarrë atëbotë në kuadër të shoqërisë civile. Njëri ndër hapat kryesorë dhe me shumë ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit është edhe themelimi i Institutit ‘Riinvest”. Instituti “Riinvest” në kushtet e paraluftës solli një informacion më shumë për të gjithë në Kosovë, sidomos gjatë viteve 1995-2000, ndërsa prej këtij viti e këndej Instituti “Riinvest” solli një frymë të re të të menduarit dhe një mendim tjetër lidhur me zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe rajon.

RTV21 gjatë kësaj periudhe Institutin “Riinvest” e kishte si pikë referimi për hulumtimet lidhur me zhvillimin ekonomik, gjithnjë duke u konsultuar dhe duke marrë mendimin e ekspertëve që kanë kontribuuar në këtë institut me vite.

Shumë çështje madhore ekonomike të vendit, shumë çështje që trajtoheshin edhe si tabu, janë trajtuar në debatet tona televizive, jo vetëm përmes konsultave të gazetarëve tanë me ekspertë të këtij Instituti, por edhe me pjesëmarrjen e ekspertëve në fjalë në debatet e tilla.

Instituti “Riinvest” ka dhënë kontributin e vet edhe përmes publikimeve të shumta mbi zhvillimin modern ekonomik të Kosovës, ka publikuar hulumtime mbi politikat për avancimin e bizneseve dhe krijimin e kushteve për bizneset sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme, dhe si i tillë edhe ka krijuar opinion publik lidhur me atë se si duhet krijuar kushtet dhe cili është drejtimi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.

Parametrat e Institutit “Riinvest” lidhur me zhvillimin ekonomik janë përmendur në debatet televizive në RTV21 jo vetëm nga ekspertë të këtij instituti, por edhe nga ekspertë tjerë, njohës të zhvillimit ekonomik si të vendit ashtu edhe të huaj. 

Çështjet në të cilat janë ndalur ekspertët ekonomikë e që u janë referuar hulumtimeve të Institutit “Riinvest”, kryesisht kishin të bëjnë me tregun e punës dhe zbutjen e papunësisë, qëndrueshmëria ekonomike e Kosovës, pastaj hulumtimi i këtij instituti lidhur me investimet e jashtme direkte në Kosovë si dhe çështje tjera shumë vitale për ekonominë e Kosovës.

Njëzetvjetori i themelimit, Institutin “Riinvest” e gjen në një ambient ku ende kërkohet shumë punë dhe ku ky institut do ta ketë rolin e vet në mendimin kritik lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, gjithnjë duke u bazuar në hulumtimet dhe punën profesionale në përgjithësi që bën ky Institut në këtë fushë.  

Në rrethana dhe kohë të ndryshme, gjithçka sheh, lexon dhe kupton ndryshe. Katërmbëdhjetë vjet më parë, isha vetëm 19 vjeçe, kur nisa punën si gazetare. Një rrugëtim i ri për mua, plot sfida dhe të panjohura. Ekonomia ishte sektori i fundit që më kishte shkuar mendja se do ta mbuloja, për më shumë se dhjetë vjet gjatë karrierës sime. Nuk kisha njohuri në çështjet ekonomike, dhe aq më pak në leximin e linjave buxhetore, apo analizimin e interesave politike përmes numrave.

Por, gjeta një derë, që ishte çdoherë e hapur për mua, dhe një grup ekspertësh, që pa përtesë uleshin në tryezë për të më sqaruar të panjohurat, ato që në fakt definonin në thelb problemet esenciale të shtetndërtimit. Në fillim i lexoja thjesht si tekste dhe statistika, raportoja konferencat pa e kuptuar se kjo derë mobilizonte opinionin publik përmes medieve për çështje të mëdha ekonomike.

Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, nuk ishte thjesht një Institut për publikimin e raporteve, analizave dhe hulumtimeve. Ai sfidonte pushtetin me fakte dhe argumente. Rrethanat problematike të periudhës së vështirë në tranzicion, atëherë kur politika dominonte mbi ekonominë, ishin sfida të vazhdueshme, por “Riinvest”-i me përkushtim vazhdoi misionin e tij drejt avokimit të politikave zhvillimore, duke i qëndruar me llupë secilit që vinte, binte dhe sërish rikthehej në pushtet.

Nuk e kishte të panjohur ballafaqimin me degradimin, sepse “Riinvest”-i aktivitetin e tij e kishte nisur në një periudhë shumë më të rëndë, atë të regjimit të Milosheviqit. I themeluar në vitin 1995, vazhdoi për dy dekada me radhë, me përkushtim dhe profesionalizëm, në partneritet me organizata ndërkombëtare, duke u shndërruar gradualisht në faktorin më me ndikim të çështjeve ekonomike në opinionin publik të Kosovës.

Në secilën periudhë, për këto 20 vjet, “Riinvest”-i asnjëherë nuk iu nënshtrua politikës, përkundrazi duke e kritikuar me të gjeturat që prezantonte intensivisht përpara opinionit, ai ofronte edhe zgjidhje përmes strategjive për zhvillim ekonomik.

Ky Institut ishte nxitës i debateve për ambientin e investimeve në Kosovë, procesin e degraduar të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike, ndëmarrësisë, etj. “Riinvest”-i, njëkohësisht solli një frymë të panjohur për shoqërinë civile në Kosovë, model tjetër të ofrimit të zgjidhjeve, përcjellë me peshën e tij, duke ofruar jo vetëm të gjetura, por edhe ekspertiza të fushave të ndryshme ekonomike dhe politika alternative.

Me profesionalizëm rriti kredibilitetin e tij në vazhdimësi, dëshmonte degradimin që i bëhej Kosovës me fakte mbi tavolinë, por ndërkohë ofronte zgjidhje për qëndrueshmëri ekonomike. “Riinvest”-i tash sa vite ka prirë me iniciativa, përmes forumeve publike, konferencave, debateve, analizave e publikimeve. Influenca e tij është rritur bashkë me ekspertët që ka zhvilluar brenda tij. Instituti i parë i llojit “thinj-tank” në Kosovë, hapi dyert për një gjeneratë të re, e cila u rrit dhe u zhvillua brenda tij. “Riinvest”-i ka arritur të prezantohet me ekspertët më me influencë të çështjeve ekonomike në vend, promovuesit e frymës së re të diskursit publik.

Ai vazhdon të mbetet adresa më kredibile dhe luan rolin kyç në hapjen e debateve për sfidat ekonomike në vend. Jo rrallëherë, “Riinvest”-i ka ndryshuar rrjedhjen e ngjarjeve ekonomike duke hapur debat publik, me ndikim në ngjarjet më të rëndësishme të sektorëve ekonomikë në Kosovë.

Sot, 20 vjet nga themelimi i tij, dhe tash 14 vjet sa unë kam përcjellë nga afër punën e “Riinvest”-it, e lexoj, e shoh dhe e vlerësoj si adresën më kredibile, dhe jo vetëm në Kosovë, të avokimit të shtyllës kryesore në vend. ‘Riinvest”-i ka arritur të instalojë standardin më të lartë të mendësisë moderne ekonomike në vend!

FES-i ka qenë partner i “Riinvest”-it që nga viti 1997. Gjatë periudhës 1999 dhe 2005, kisha kënaqësinë të isha përgjegjës nga ana e FES-it për bashkëpunimin mes të dy institucioneve. Kontakti im i parë me profesorin Mustafa dhe kolegët e tij ka qenë në pranverë të vitit 1999. Si një vëzhgues i jashtëm, i mbaj mend shumë mirë ato ditë lufte në Kosovë, lajmet e tmerrshme, fotografitë dramatike dhe lajmet shqetësuese në media që vinin nga atje gjatë atyre ditëve. Derisa vija nga Sofja, aty ku i kemi pasur zyrat tona regjionale, arrita në Tetovë, ku shumë njerëz nga Kosova kishin ikur nga lufta për të gjetur strehë. Qyteti i vogël ishte përplot me njerëz dhe vetura. Ishte shumë vështirë të gjeje vend të lirë në njërën nga kafenetë e shumta, të cilat në të njëjtën kohë ishin edhe vendtakime për të gjithë, përfshirë ndërkombëtarët e shumtë, të cilët ishin prezentë si pjesëtarë të programeve humanitare ndërkombëtare si dhe korrespondentë nga organet e medieve anembanë botës.

“Riinvest”-i kishte themeluar një zyrë të vogël në qendër të qytetit. Duke mos e ditur se kur do të përfundonte lufta, ato ditë ne filluam një program studimor dhe propozues për rindërtimin e Kosovës pas luftës. Ne e dinim se shumë ekspertë nga Kosova ishin në Tetovë, duke pritur ditë më të mira, në kafenetë e qytetit. Derisa prisnim në Tetovë, ne dëshironim që t’ju ofrojmë mundësinë që t’i vënë në përdorim kapacitetet e tyre intelektuale dhe vizionare për të kontribuar për “ditët pas” dhe sfidave enorme që duhej të adresoheshim kur të përfundonte lufta dhe kur njerëzit e Kosovës të ktheheshin prapë në vendin e tyre.

Si rezultat, “Riinvest”-i dhe FES-i organizuan Konferencën e parë ndërkombëtare pas përfundimit të luftës, në ditët e hershme të korrikut 1999. Ngjarja u mbajt në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, i cili kishte pësuar nga bombardimet gjatë luftës. Dritaret ishin të thyera dhe gjatë atyre ditëve me shi, uji hynte nga dritaret në dhomën e konferencave nëpërmjet vrimave të shumta të dritareve të thyera. Ishte sfidë të siguronim mjete teknike, por konferenca bëri bashkë një komunitet të njerëzve të çliruar dhe entuziastë të cilët dëshironin të kontribuonin në rindërtimin e një vendi dhe shteti të ri.

Unë e imagjinoj se disa nga ato punime të prezantuara dhe propozime të shumta kanë gjetur rrugën e tyre në procesin e rindërtimit që ka vazhduar që nga atëherë e deri më sot. Përvoja zemërngrohëse e bashkëpunimit tonë, kontakti dhe komunikimi ndërmjet ekipeve tona dhe në veçanti me prof. Mustafën mbeten përgjithmonë në kujtimet e mia.

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë