Instituti Riinvest dhe Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) kanë zyrtarizuar “Memorandumin për Bashkëpunim Strategjik”. Marrëveshja e memorandumit e nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest z. Alban Hashani, dhe zëvendës drejtori i Institutit të Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) z. Mario Holzner, ka për qëllim zhvillimin e kapaciteteve për hulumtime cilësore në fushën e zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Në ceremoninë e zyrtarizimit të memorandumit, z. Muhamet Mustafa, njëri nga themeluesit e Institutit Riinvest, përshëndeti të pranishmit dhe uroi nënshkrimin e kësaj marrëveshje, duke theksuar se me një marrëveshje të tillë Instituti Riinvest dhe “wiiw” po e zhvillojnë tutje bashkëpunimin ndërmjet tyre për projekte dhe hulumtime të përbashkëta.
Ndërkohë, zëvendës drejtori i Institutit të Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) z. Mario Holzner, deklaroi se nënshkrimi i një memorandumi të tillë, është vetëm formalizim dhe vazhdimësi e bashkëpunimit ndërmjet Institutit të Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) dhe Institutit Riinvest, bashkëpunim ky i cili sipas tij vazhdon për rreth 20 vite.
Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest, shpalosi pikat kryesore të memorandumit. z. Hashani deklaroi se formalizimi i këtij bashkëpunimi si qëllim kryesor ka forcimin e pozitës së Riinvest-it, dhe mundësimin e përdorimit sa më të mirë të burimeve dhe kompetencave të të dy organizatave.
Tutje, z. Hashani deklaroi se “wiiw” dhe Riinvest do të krijojnë një task-forcë të përbashkët për të identifikuar mundësitë e aplikimit dhe projekteve të ndryshme kërkimore, në mënyrë të veçantë në kuadër të kornizës së horizontit 20-20. z. Hashani po ashtu theksoi se “wiiw” në periudhë afat-shkurtë ka treguar gatishmëri ta mbështes Riinvest-in, me ndihmën e nevojshme teknike për ndërtimin e kapaciteteve për parashikimin e trendeve ekonomike. Nw fund, z. Hashani deklaroi se të dy organizatat gjithashtu janë pajtuar të mbështesin mobilitetin e stafit për punë kërkimore në projekte të përbashkëta dhe çështje të mësimdhënies, si dhe në organizimin e konferencave të ngjarjeve të përbashkëta në Kosovë dhe Austri.
Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw), është ndër institutet më prestigjioze për studime ekonomike në Evropë.