Sot u lansua iniciativa e re converge2eu, e cila ofron një analizë të thelluar dhe të bazuar në të dhëna mbi mënyrën se si vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë drejt standardeve të jetesës të Bashkimit Evropian. Duke gjurmuar mënyrën se si njerëzit në rajon jetojnë realisht, përmes treguesve ekonomikë, socialë dhe institucionalë, converge2eu ofron një perspektivë unike mbi procesin e konvergjencës me BE-në.
Duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, iniciativa mat performancën në tetë fusha kyçe të jetës: ekonomi, mirëqenie sociale, shëndetësi, arsim, mjedis, qeverisje, digjitalizim dhe infrastrukturë. Rezultatet prezantohen përmes një platforme interaktive online, e cila i bën të dhënat komplekse të qasshme dhe të krahasueshme.
Të dhënat dhe platforma po prezantohen për herë të parë sot në Forumin Ignita në Prizren, Kosovë, dhe më pas do të promovohen në secilin vend të Ballkanit Perëndimor.
“converge2eu synon ta riformulojë konceptin e konvergjencës duke u fokusuar në mënyrën se si njerëzit në rajon jetojnë realisht, si krahasohen këto me BE-në, dhe nëse po përmirësohen apo jo,” tha Branimir Jovanovi nga Instituti i Studimeve Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë (wiiw). “Gjithashtu, synojmë që këto njohuri t’i shndërrojmë në veprime konkrete politike — si nga qeveritë e rajonit, ashtu edhe nga BE-ja — për të mbështetur objektivin afatgjatë të rajonit për arritjen e mirëqenies në nivelin e BE-së dhe integrimit të plotë.”
Një nismë afatgjatë me ndikim politik
Veçantia e converge2eu qëndron në vizionin e saj afatgjatë. Ajo synon të bëhet një platformë e përhershme për gjurmimin e progresit me kalimin e kohës, duke i mundësuar politikëbërësve dhe publikut të identifikojnë qartë se ku po arrihen përmirësime dhe ku mbeten boshllëqe. Iniciativa ka një komponent të fuqishëm advokues, që synon të përkthejë të dhënat në ndikim konkret në politika, duke nxitur reforma të matshme në të gjitha fushat e vlerësimit.
Për ta arritur këtë, partnerët e projektit do të bashkëpunojnë ngushtë me qeveritë kombëtare të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me institucionet evropiane dhe organizatat financiare ndërkombëtare. Ky angazhim në terren siguron që evidencat nga platforma të informojnë proceset e vërteta të politikëbërjes dhe t’i ndihmojnë vendimmarrësit të përafrojnë standardet rajonale me ato të BE-së.
“Konvergjenca nuk është vetëm proces teknik — ajo ka të bëjë me sigurimin që qytetarët në Ballkanin Perëndimor të gëzojnë të njëjtat mundësi, të drejta dhe cilësi jete si qytetarët e BE-së,” tha Zoran Nechev nga organizata Think Europe. “Duke bërë të dhënat e besueshme të qasshme dhe të përdorshme, converge2eu i ndihmon politikëbërësit dhe akterët e tjerë të fokusohen në atë që ka më shumë rëndësi: përmirësime konkrete në jetën e përditshme të njerëzve.”
Mjedisi, arsimi dhe infrastruktura kërkojnë vëmendje urgjente
Gjetjet e para nga platforma converge2eu theksojnë disa fusha që kërkojnë veprim të menjëhershëm nga politikëbërësit në të gjithë rajonin.
Mjedisi del si shqetësimi më kritik: jo vetëm që performanca është nën mesataren e BE-së, por shfaq edhe shenja përkeqësimi të mëtejshëm.
Arsimi renditet menjëherë pas: edhe pse rezultatet aktualisht janë relativisht të mira — kryesisht si trashëgimi e periudhës socialiste — ato po bien në të gjitha vendet.
Ekonomia dhe infrastruktura kërkojnë fokus të ri strategjik: të dy sektorët mbeten në rreth një të tretën e nivelit të BE-së, pavarësisht përmirësimeve të fundit.
Megjithatë, të dhënat tregojnë edhe zhvillime inkurajuese:
Digjitalizimi spikat si një fushë e fuqishme, me rajonin që ka arritur rreth 75% të nivelit të BE-së, duke ruajtur një ritëm të qëndrueshëm përparimi. Disa vende të Ballkanit Perëndimor janë në rrugë të mirë për të arritur konvergjencë të plotë në digjitalizim brenda dekadës së ardhshme, duke treguar potencialin transformues të investimeve dhe reformave të qëndrueshme.
Rreth converge2eu
converge2eu koordinohet nga The Vienna Institute for International Economic Studies (Austria) dhe Think Europe (Slovenia), dhe zbatohet në bashkëpunim me partnerë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor:
Dritan Shano (Albania)
Centre for Policy and Governance (Bosnia and Herzegovina)
Riinvest Institute (Kosovo)
Institut Alternativa (Montenegro)
Association for Research and Analysis (ZMAI) (North Macedonia)
Institute for Development and Innovation (Serbia)
Iniciativa mbështetet nga Open Society Foundation – Western Balkans.
Për më shumë informacione dhe për të eksploruar platformën, vizitoni: converge2.eu