Instituti Riinvest, në bashkëpunim me organizatat tjera partnere "Development Group" dhe "Community Development Institute", në kuadër të projektit “Forcimi i Bashkëpunimit dhe Partneritetit Zhvillimor Strategjik ndërmjet Komunave/Komuniteteve”, organizoi Forumin për Menaxhimin e Mbeturinave, me ç ‘rast u publikua raporti “Menaxhimi i mbeturinave në 16 komuna”.
Projekti është pjesë e programit “Avancojmë Kosovën së Bashku – Alternativa Lokale” i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe i implementuar nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF). Qëllimi i përgjithshëm i projektit është inkurajimi i komunave për të krijuar partneritete dhe rrjete regjionale për adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, konsolidimin dhe përmirësimin e standardeve të qeverisje së mirë, dhe zhvillimin e qasjeve të reja në adresimin e sfidave aktuale dhe të ardhshme të qeverisjes lokale.
Forumin e shpalli të hapur drejtori i hulumtimeve në Institutin Riinvest, z. Alban Hashani. Duke i falënderuar pjesëmarrësit, z. Hashani potencoi pikat kyçe të projektit, duke theksuar si pikë shumë të rëndësishme ngritjen e nivelit të bashkëpunimit ndër-komunal për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Pas prezantimit të pikave kyçe të projektit, z. Hashani ka prezantuar në pika të shkurtra edhe raportin mbi menaxhimin e mbeturinave duke cekur se raporti paraqet situatën aktuale ne 16 komunat, problemet e përbashkëta në mes të komunave, praktikat rajonale në krijimin e bashkëpunimeve ndër-komunale, dhe mundësitë për bashkëpunim ndër-komunal për menaxhimin e mbeturinave.
Z. Nenad Maksimović nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF), theksoi rëndësinë e projektit nga perspektiva e programit Avancojmë Kosovën së bashku – Alternativa Lokale, projekt ky i cili implementohet nga CDF. Sipas tij, ky projekt ndihmon CDF-në në arritjen e qëllimit të programit i cili është forcimi i komunikimit pozitiv dhe konstruktiv ndëretnik, duke u përqendruar në problemet, nevojat dhe zgjidhjet e përbashkëta. Aktivitetet e programit Avancojmë Kosovën së Bashku – Alternativa Lokale do të fokusohen në angazhimin e njerëzve që të mendojnë, flasin dhe punojnë së bashku me anëtarët e komuniteteve tjera. Z. Maksimović përfundoi fjalimin e tij duke inkurajuar zyrtarët komunal që të marrin pjesë në diskutim dhe të gjenerojnë ide kreative për bashkëpunim ndër-komunal.
Znj. Mimoza Hyseni nga Agjenica për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë diskutoi rreth menaxhimit të mbeturinave në Kosovë. Sipas Znj. Hyseni, sfidat janë të mëdha, pasi që në Kosovë ekzistojnë rreth 400 deponi ilegale, dhe ka shumë probleme me ujërat e zeza. Ajo shtoi se është aprovuar Strategjia për Menaxhimin e Mbeturinave 2015-2020 dhe i ka cekur disa sfida me të cilat ballafaqohen gjatë implementimit të strategjisë. Po ashtu, ajo ka cekur se bashkëpunimi ndër-komunal për menaxhimin e mbeturinave është shumë i rëndësishëm, dhe i inkurajoi komunat ta ndihmojnë Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, duke bashkëpunuar më shumë.
Hulumtuesja e avancuar në Institutin Riinvest, znj. Diellza Gashi, prezantoi raportin në pika të shkurta, me theks të veçantë problemet e përbashkëta me të cilat ballafaqohen komunat në menaxhimin e mbeturinave. Znj. Gashi prezantoi praktika të vendeve rajonale, ku komunat kanë themeluar asociacione ndër-komunale për menaxhimin e mbeturinave, dhe si rrjedhojë kanë përfituar në mënyra të ndryshme duke ulur kostot.
Ndërkohë z. Muhamet Bajrami, drejtor i njësisë për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prizrenit, prezantoi praktikat e adoptuara nga komuna e Prizrenit në menaxhimin e mbeturinave. Kjo komunë ka implementuar një projekt 4 vjeçar të financuar nga qeveria Japoneze dhe si rezultat është formuar njësiti për menaxhimin e mbeturinave brenda departamentit për shërbime publike.
Forumi u përmbyll me diskutimin e 16 zyrtarëve komunalë, të cilët diskutuan rreth sfidave dhe mundësive të bashkëpunimit. Ndërkohë z. Hashani në fjalinë e tij përmbyllëse potencoi se nga diskutimi i përbashkët u rikonfirmuan problemet e përbashkëta të komunave të cilat dalin edhe nga raporti i Institutit Riinvest, prandaj i inkurajoi komunat që të bashkëpunojnë mes veti.