Një zonë Schengen për Ballkanin Perëndimor do të nënkuptonte lëvizje të lirë të individëve, mallrave dhe shërbimeve pa kontroll kufitar. Pjesëmarrja në një platformë të tille duhet të reflektojë interes ekonomik dhe politik e më pas mundësi për të avancuar marrëdhëniet politike dhe ekonomike për vendet anëtare.
Mungesa e vazhdueshme e Kosovës në takimet rajonale, por edhe qasja skeptike e Bosnjës dhe Malit te Zi, sinjalizon që kjo platformë nuk është në harmoni të plotë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për ta kthyer këtë iniciative në mini “Mini-Schengen”.
Le ta izolojmë për një moment dimensionin politik të kësaj iniciative dhe të fokusohemi vetëm në dimensionin ekonomik të saj. Kjo është pesha e eksporteve të vendeve të Evropës Juglindore në PBB e tyre!
Shihet qartë një ndryshim thelbësor mes gjashtë vendeve të rajonit. Për Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi, ekstportet dominohen nga shërbimet, e jo nga mallrat. Ndërsa Bosnja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut eksportojnë kryesisht mallra e shumë më pak shërbime. Nuk kërkohen shumë aftësi analitike për të kuptuar se “Mini-Schengen”, përtej CEFTAs, do të duhej të avanconte njëkohësisht liberalizimin e tregtisë së mallrave edhe të shërbimeve për të krijuar një platformë të qëndrueshme tregtare rajonale duke mundësuar përfitime për të gjithë pjesëmarrësit.
Pra, “Mini-Schengen” do të kishte kuptim nëse krahas tregtisë së mallrave do të liberalizohej plotësisht edhe tregtia e shërbimeve. Në këtë mënyrë do të mundësohej potenciali i plote i shkëmbimit tregtar të rajoni dhe do të ishte një mundësi e barabartë e të gjithë vendeve për të matur forcat e tyre.
Megjithatë eksperienca na ka treguar se liberalizimi i shërbimeve është proces shumë më kompleks dhe i vështirë krahasuar me atë të mallrave. Retorika e kalimit kufitar me karta të identitetit nuk arin këtë qellim. Liberalizim i shërbimeve do të nënkuptonte ndër të tjera harmonizimin dhe njohjen e ndërsjellët të diplomave, certifikatave, dhe licencave. Edhe pse negociata e liberalizimit të shërbimeve janë përmbyllur në kuadër të CEFTAs, nuk ka garanci nëse do të zbatohen plotësisht nisur nga eksperienca jo e mirë e mos zbatimit të plotë të marrëveshjes së liberalizimit të tregtisë për mallrat.
Struktura e eksporteve të Shqipërisë, Kosovës, dhe Malit te Zi është e dominuar nga shërbimet. Pa-mundësia për të konkurruar me eksport të mallrave në nivel rajonal dhe dështimi i CEFTA-s për të garantuar avantazh nga liberalizimi i tregtisë së mallrave e betonon skepticizmin e Kosovës dhe Malit te Zi në lidhje me këtë nisëm rajonale. Andaj, në terma ekonomik justifikohet shumë qartë pozicionimi i Kosovës dhe i Malit te Zi sa i përket “Mini-Schengen”. Gjithashtu, thithja e investimeve të huaja në sektorin e manifakturës për Shqipërinë, Kosovën, dhe Malin e Zi në afat të shkurtër nuk duket se do ta ndryshoj strukturën e eksporteve në këto vende. Për më tepër, prodhimi i mallrave po në këto vende mbetet për një kohe larg potencialit të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. E në këto kushte, pozicioni i Shqipërisë mbetet i pa qartë.
Në anën tjetër, “Mini-Schengen” për Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjën në mungesë të liberalizimit të shërbimeve duket se nuk përbën ndonjë shqetësim pasi struktura e eksporteve të tyre është e dominuar nga mallrat, e për më tepër një iniciative e tille u hap dyert e një tregu shtesë për të eksportuar më shumë mallra e importuar më pak shërbime.
Siç duket, me të drejtë në konferencën për shtyp, Presidenti Vuçiq theksoi se i ka bërë mirë kalkulimet dhe se do të mbroj vetëm interesin e vendit të tij.
Në këto rrethana, është i diskutueshëm pozicioni ekonomik i Shqipërisë në këtë nismë “Mini-Schengen”, sidomos pa pjesëmarrjen e plotë të Malit të Zi dhe Kosovës. E vetme, Shqipërisë i ulen fuqitë negociuese për të siguruar një “Mini-Schengen” efektiv që do të siguronte liberalizim të plotë të shërbimeve krahas liberalizimit të mallrave për t’i zbutur kështu efektet e sigurta negative në bilancin tregtar me Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjën.