Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Riinvest Blog

Muhamet Mustafa

Botëkuptimi i ri mbi politikat industriale dhe qasja e zbatimit të tyre në Kosovë - Muhamet Mustafa

2000-2016 mund të konsiderohet si kohë e humbur sa i përket ndërtimit dhe zbatimit te politikave industriale në Kosovë. Me Pakon fiskale 1 dhe 2 e edhe me disa masa edhe dy vitet e fundit është bërë një hap fillestar e i rëndësishëm në mbështetje të investimeve në sektorë prodhues. Por marrë në tërësi transformimet strukturale në ekonomi, sidomos kur është fjala për industrinë përpunuese kanë qenë shumë të ngadalshme dhe shprehin tërë varfërinë e politikave industriale në Kosove. Kompozicioni ( përbërja strukturale) i GDP-së mbetet pothuajse i njëjte për më shumë se një dekadë, ose me ndryshime shumë të vogla. Kështu shohim se industria përpunuese ka mbetur rreth 11% e GDP-së në periudhën 2013 dhe 2017 e me fare pak ndryshim për shembull edhe nga viti 2008. Edhe vlerësimet për 2018, nuk janë më të mira. Ky problem doli në sipërfaqe edhe tek diskutimi që patëm para një muaji lidhur me modelin e rritjes ekonomike. Konstatuam se një nga problemet kyçe frenuese të rritjes ekonomike qëndron në pozitën deprimuese të industrisë, me 12% pjesëmarrje ne kreditë bankare, me 10% në investimet e jashtme direkte (IJD) dhe me import tejet modest të pajisjeve, jo më shumë se 70-94 milion Euro në vit ( Riinvest, 2017) . Ndaj Kosova ka nevojë te ngutshme që të disejnojë, përkatësisht të kompletojë politika industriale të cilat i nevojiten për të tejkaluar shpërpjesëtimet në konfiguracionin makro-ekonomik dhe për të rritur dhe ristrukturuar ofertën e saj – për zëvendësim te importit dhe për të rritur eksportin. Kjo do të zgjidhte ose së paku do të zbuste dy problemet kyçe ekonomike me të cilat ballafaqohemi në mënyrë kronike: papunësinë dhe deficitin në këmbimin tregtar me botën e jashtme.

Edhe në kontekstin global, shumë pak ekonomi, nëse ka edhe ndonjë, kanë arritur të bëhen të zhvilluara vetëm duke u mbështetur në mekanizmin e tregut e pa politika adekuate industriale. Ndaj ka disa vite që diskutimi se “a nevojiten apo jo politikat industriale” dhe mohimi i arsyeshmerisë së tyre për thuaja dy dekada pas “Konsensusit te Uashingtonit”, mund të konsiderohet i tejkaluar [1] (Stiglitz, 2016); Roderik, 2004).

Politikat industriale janë për të korrigjuar dështimet e tregut (jo për ta zëvendësuar tregun) në aspektin e alokimeve sektoriale të burimeve për të siguruar diversifikimin. Kjo bëhet me politikat qe sigurojnë një përfitim të sektorit privat nga eksternalitetet e koordinimit dhe eksternalitetet e informacionit[1]. Natyrisht këtë e bëjnë shumë më lehtë ekonomitë e zhvilluara në krahasim me ato në zhvillim për shkak të kapacitetit dhe cilësisë së institucioneve (Stiglic 2016). Cilësia e institucioneve duhet të diagnostifikohet mirë para se të zgjedhën politikat industriale dhe masat që duhet ti shoqërojnë ato për zbatimin e tyre. Botëkuptimi i ri mbi politikat industriale përfshin një spektër shumë më të gjere të masave tani, se sa ka qenë më herët sipas një botëkuptimi tradicional, dhe shtrihet jo vetëm në politikat fiskale apo tregtare. Politika industriale ka në secilin vend (edhe kur ato nuk i quajnë ashtu). Problemi më i vështirë për tu zgjidhur është se shpesh këto masa përvetësohen nga “interesa specifike”, interesa grupore te ndërlidhura edhe me burokracinë dhe elitën politike të korruptuar. Në këtë mënyrë ato e influencojnë strukturën e ekonomisë mbi bazë të këtyre interesave speciale e të cilat deformojne jo vetëm efektin masave por rezultojnë me një rritje më të vogël ekonomike dhe në krijimin e një pabarazie më të madhe . Prandaj edhe kërkohet një vetëdijesim më i madh i akterëve që e qeverisin ekonominë. Edhe kritikat kryesore ndaj politikave industriale kanë të bëjnë me atë se ato mund te mbërthehen (kapen) pikërisht nga këto interesa speciale. Por ndaj kësaj nuk janë imune as ato që preferojnë kritikuesit e politikave industriale (rregullatorët, IJD, zonat e lira). Ilaçi për të evituar mbërthimin nga interesat speciale është tek hapja ndaj publikut, transparenca dhe llogaridhënia. Dhe kjo kërkon edukimin dhe vetëdijesimin e akterëve ekonomikë dhe gjithsesi një interakcion adekuat nëpërmjet partneritetit publiko privat.

Politikat bashkëkohore industriale kanë fare pak të përbashkëta me industrializimin në kuptimin tradicional. Ato tash mund të influencojnë kompozicionin struktural të ekonomisë duke përfshirë edhe qeverisjen korporative, atitrustin dhe politikat konkurruese, politikën monetare, falimentimin e jo vetëm politikën fiskale ose tregtare. Problemi i ekonomive në zhvillim, sidomos atyre emergjente (Infant), siç është kjo e Kosovës pas luftës, është një problem i mësuarjes dhe i konsolidimit të institucioneve të reja në mënyre që nëpërmjet politikave industriale të përfitojnë nga eksternalitetet e koordinimit dhe informacionit edhe akterët ekonomik, në një plan të gjerë, nga efektet shpërndarëse ( technological end industrial spilovers) pra edhe ata që janë jashtë nga projekti apo sektori që është marrë për intervenim. Prandej Stiglitz vë theksin sidomos tek fakti se firmat mësojnë duke bërë ( punuar), apo duke mësuar se si të mësohet . Në këtë mënyrë këto ekonomi e adresojnë problemin e tyre qendror për të gjeneruar rritje ekonomike dhe diversifikuar strukturën e tyre, e që është hendeku (zbrazësia, gap) në dije dhe hendeku në resurse. Ndaj problem qendror është kapaciteti i qeverisë për të mbrojtur politikat industriale dhe instrumentet e zbatimit të tyre nga mbërthimi ( kapja) nga “interesat specifike” dhe rentimi, përkatësisht korrupsioni.

Qëllimi primar i politikave industriale është diversifikimi i strukturës ekonomike. E kjo kërkon një portfolio të instrumenteve që sajojnë një komplemetaritet për të arritur efekte të synuara. Kështu për Kosovën janë të rëndësishme projektet qe sigurojnë rritje te eksportit, zëvendësim të importit dhe njëkohësisht që sigurojnë punësim. Përshtatja ndaj nivelit te zhvillimit dhe kapaciteteve institucionale ka rëndësi qendrore (bota ndryshon, nuk është si në kohën e tigrave Aziatik). Rodrik shtron nevojën për një bashkëpunim strategjik me sektorin privat për të tejkaluar kufizimet dhe shfrytëzuar shanset. Ndaj sfida nuk qëndron më tek rizbulimi i politikave industriale, por se si të përdoren ato në mënyrë efektive. Kjo shkon përtej logjikës së përparësisë komparative te sektorëve të caktuar e cila bazohet në krijimin e efekteve zhvillimore nëpërmjet specializimit, si mënyre e rritjes se produktivitetit të punës. Megjithatë shumica e arritjeve lidhur me diversifikimin e prodhimit janë rezultat i përpjekjeve të përqendruara të qeverisë, brenda një partneriteti e bashkëpunimit publiko – privat. Intervenimet më të mira të këtyre politikave do të ishin ato që përqendrohen në aktivitete, projekte jo në sektor, dhe ato që kanë efekte ndër-sektoriale në një shtrirje (spilover) më të gjerë. Rrjetet transparente të ndërlidhjes me sektorin privat për të parandaluar mekanizmin e transferit të rentes në relacionin “ biznesmeni joskurpuloz dhe burokratet e korruptuar” janë një çështje me rëndësi primare. Për këtë nevojitet ndërtimi i një procesi më llogaridhënës në një kontekst demokratik. Nevojitet një formë fleksibile e bashkëpunimit strategjik midis sektorit privat dhe publik që përfshin një lidership të përkushtuar politik. Kryeministri për shembull, me prezencë të ministrave kyç, do duhej ta udhëheqte këtë proces që ka një mekanizëm efektiv të monitorimit të burokrateve. Trupa publiko -privat (me përfaqësues te bizneseve, asociacioneve) duhet të sigurojnë bashkërenditje të agjencive qeveritare, dhe avokojnë për ndryshime, zvogëlim të shpenzimeve te transaksionit dhe mbështetje financiare, mekanizmat e monitorimit, transparencës dhe përgjegjësisë. Agjencitë zbatuese duhet të kenë kompetenca për të monitoruar rreptë rezultatet dhe krahasuar ato me objektiva. Efektet lidhur me subvencionet që ndërmerr qeveria e Kosoves tash e disa vite flasin më se miri për këtë nevojë. Tani ato arrijnë qindra milion Euro, por nuk ka monitorim dhe auditim te performancës, nuk ka llogaridhënie për efektet dhe vlerësim të rezultateve të arritura pas zbatimit të projekteve. Investimet publike për laboratoriumet publike dhe kërkime dhe zhvillim, infrastruktura fizike, infrastruktura sanitare, fitopatologjia, edukimi profesional, trajnimi teknik dhe mjedisi adekuat biznesor duke përfshi poltikat adekuate fiskale dhe tregtare do të përbënin një kombinim të duhur. Në fakt këto edhe do të mund të quheshin një bashkësi masash të integruara dhe komplementare për diversifikim të portfolios së ofertës dhe njëkohësisht për rritje të aftësisë konkurruese.

Andaj Rodrik ka të drejtë kur konsideron se politikat industruiale janë një proces i vetëzbulimit ekonomik në kuptim të gjere, një gjendje e vetëdijesimit (mindset) për të investuar të mirat publike për diversifikimin e prodhimit. Pra, po e përsëris, nuk është më aktuale pyetja a duhen politikat industriale, por si te disejnohen dhe zbatohen mire, si te mësohet nga mësimet e shembujve te suksesshëm. Por këtu ka rëndësi konteksti institucional dhe i përgjithshëm. Kopjimi strikt nuk jep rezultate.

 

[1] Argumentet kundër politikave induistriale

- Qeveritë nuk mund ti gjejnë fituesit (me te mirët, me konkurruesit)

- Ekonomitë në zhvillim nuk kanë administratë kompetente

- Intervenimet industriale përcillen me ‘kapje nga shteti” dhe korrupsion

- Ka pak evidence se politika industriale jep rezultate

Argumentet për politikat industriale

- Zgjedhje e industrive te gabuara/ kur kostoja e zbulimit është çështje me rëndësi

- Pak ka dallim midis rregullimit (Consesusi I W) dhe politikes industriale

- Ka mjaft evidence për sukses të politikave industriale (Azia Juglindore dhe Aemrika Latine) , bile është e vështire të gjendet ndonjë storie suksesi në ekonomite në zhvillim që nuk është ne një farë forme produkt i politikave industriale.

- Dy dekadat e fundit është zgjeruar shumë arsenali i politikave industriale

 

(2) Dështimi lidhur me koordinimin ndërlidhet me faktin se tregu nuk arrin tu përgjigjet investitorëve potencial për produktet e shërbimeve të reja, kështu që barra e riskut bie tërësisht mbi investitorin individual privat dhe ai heziton te investojë në shërbime te tilla që janë në interes publik dhe interes të diverisfikimit të strukturës. Eksternaliteti lidhur me informacionin ngjashëm ka te bëj me faktin se firmat individualisht kanë të vështirë të zbulojnë se cilat produkte dhe shërbime mund të prodhojnë me kosto të ulët e me profit, ndaj diversifikimi i strukturës prodhuese kërkon një informacion për strukturën e kostove dhe transakcioneve t[ nj[ ekonomie. Qeveritë me politika industriale tentojnë të korrigjojnë këtë defekt të tregut.

 

Arkiv

Debati mbi Politikat Industriale - Bleron Menzelxhiu

Më shumë

Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike - Pëllumb Çollaku

Më shumë

Sfidat ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova - Gresa Latifi

Më shumë

Gradimi kreditor (credit rating) dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare - Valentin Toçi

Më shumë

Menaxhimi i borxhit publik - Petrit Gashi

Më shumë

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë