Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Riinvest Blog

Bleron Menzelxhiu

Debati mbi Politikat Industriale - Bleron Menzelxhiu

Pas një dominimi relativisht të gjatë të politikave ekonomike të bazuara kryesisht në recetën e “Konsensusit të Uashingtonit” debati mbi politika industriale ka filluar të rikthehet sërish në “tavolinat” e botës akademike për të argumentuar rolin e tyre në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ekzistojnë disa definicione për Politikat Industriale, megjithatë, një definicion interesant është ai i akademikut Dani Rodrik që e përkufizon si: “Politika që nxisin aktivitete të veçanta ekonomike dhe nxisin ndryshime strukturore. Si e tillë, në vetvete, politika industriale nuk ka të bëjë me industrinë ‘per se’”.

Ky definicion mund të tingëlloj i thjeshtë, por në vetëvete është kompleks pasi i trajton dy dimensione esenciale. E para, i referohet politikave nxitëse që mund të interpretohen si ndërhyrje apo stimuj në ekonominë e tregut. E dyta, definicioni tenton të thyej perceptimin tradicional që ekziston mbi politikat industriale të cilave shpesh u referohen si ndërhyje vetëm në sektorët prodhues të produkteve të prekshme.

Por, përtej perceptimit tradicional, me avancimin e ekonomisë globale, politikat industriale sot synojnë sektorë ose shërbime jo-tradicionale si: kultura të reja bujqësorë, qendrat e thirrjeve, shërbimet në turizëm dhe teknologjinë informative. Pra, dështimet e tregut që justifikojnë politikën industriale mund të gjenden praktikisht në të gjitha llojet e aktiviteteve jo-tradicionale dhe jo vetëm në prodhim.

Për t’iu rikthyer debatit mbi nevojën e politikave industriale, pyetja që shtrohet më shpesh është: A i arsyetojnë politikat industriale dështimet në treg? Po të konsiderojmë që shumë politika ndërhyrëse qeveritare ndikohen nga mungesa e trajtimit pragmatik, shpesh zbatimi nga burokratë joefektiv, si dhe rreziku për të rënë pre e ndikimeve të lobeve të ndryshme, të gjitha këto do të na jepnin mjaft arsye për të argumentuar që “Qeveritë duhet të qëndrojnë larg nga politika industriale”.

Megjithatë, një pjesë e akademikëve, duke u bazuar në studime empirike, përfshi këtu edhe Rodrik, argumentojnë se ekzistojnë disa fusha tradicionale, që i “përkasin” arsenalit të ndërhyrjeve qeveritare si: arsimi, shëndetësia, sigurimet shoqërore, dhe stabiliteti makroekonomik. Fusha këto të cilat janë pjesë e pashmangshme e masave ndërhyrëse të politikave industriale. Intervenimi në këto fusha justifikohet nga dështime në treg si p.sh.: ndërhyrjet arsimore dhe shëndetësore motivohen nga eksternalitetet e kapitalit njerëzor, sigurimet shoqërore nga informacionet asimetrike, dhe politikat stabilizimit makroekonomik nga ekseternalitetet e kërkesës agregate.

Gjithësesi, ithtarët e politikave industriale bien dakord se suksesi i masave ndërhyrëse varet edhe nga një sërë “përbërësish” esencial siç mund të jenë: strukturuara dhe efikasiteti i institucioneve, komunikimi ndër-institucional, si dhe baza e të dhënave si një “përbërës” i rëndësishëm për të përcaktuar nivelin dhe shkallën e ndërhyrjes. Gjithashtu, institucionet duhet të reflektojnë përgjegjësi dhe funksioni i tyre të bazohet në llogaridhënie. Çdo masë ndërhyrëse, duhet ti ekspozohet dialogut publik për të pasur një qasje jo vetëm lartë-poshtë por edhe anasjelltas. Kjo do të mundësonte ndërhyrje më transparente dhe me ndikim më të gjerë.

Sa i përket strukturës, politikat industriale bazohen kryesisht në tre modele ndërhyrjesh; horizontale, vertikale, dhe modeli i kombinuar. Modelet horizontale janë gjithëpërfshirëse dhe prekin të gjithë sektorët e industrisë pa diskriminim. Anasjelltas, ato vertikale u qasen sektorëve të caktuar të cilët paraprakisht janë identifikuar si sektorë me prioritet. Modeli i kombinuar është një miks i masave ndërhyrëse horizontale dhe atyre vertikale për sektorë që përcaktohen si “motor” të zhvillimit ekonomik.

Sa i përket debatit mbi politikat industriale në Kosovë, së fundmi edhe në vendin tonë kanë filluar iniciativa akademike dhe qeveritare për të debatuar rreth kësaj teme dhe nevojës për t’i strukturuar ndërhyrjet qeveritare duke u bazuar në një model të qëndrueshëm. Në Kosovë, edhe pse nuk ka akoma një dokument zyrtar mbi politikat industriale, ndërhyrjet në treg janë relevante dhe mund të kategorizohen në modelin e kombinuar duke marr për shkas subvencionimin vertikal që ekziston në sektorin e bujqësisë.

Megjithatë, vlen të theksohet se edhe në Kosovë nuk do të mund të kishim politika industriale të suksesshme nëse nuk do ti shoqëronim me një strukturë implementim efikas (plan veprimi), mekanizma koordinues, si dhe një monitorim të kujdesshëm.

Arkiv

Një shtet i fortë dhe i besueshem – shtyllë kryesore për implementimin e suksesshëm të politikave industriale

Më shumë

Nevoja për një ridimensionim të politikës industriale në Kosovë

Më shumë

Botëkuptimi i ri mbi politikat industriale dhe qasja e zbatimit të tyre në Kosovë - Muhamet Mustafa

Më shumë

Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike - Pëllumb Çollaku

Më shumë

Sfidat ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova - Gresa Latifi

Më shumë

Gradimi kreditor (credit rating) dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare - Valentin Toçi

Më shumë

Menaxhimi i borxhit publik - Petrit Gashi

Më shumë

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë