Përfaqësues institucionesh të larta vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, diskutuan në tryezën “Vlerësimi i korrupsionit në Kosovë”, të organizuar nga Instituti Riinvest, si organizatë partnere në Lidershipin e Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet SELDI, dhe si pjesë shumë e rëndësishme e aktiviteteve avokuese të Institutit, në luftën ndaj korrupsionit.
Tryezën e shpalli të hapur drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest Lumir Abdixhiku. Në fjalën e tij hyrëse Abdixhiku theksoi se fenomeni i korrupsionit për të cilin jemi mbledhur për të diskutuar nuk është temë e re për Kosovën. “Është dëshmuar që luftimi i korrupsionit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtete tjera me karakteristika të njëjta të zhvillimit është një mision jashtëzakonisht i vështirë për t’u arrirë për shkak të ndryshimit aktiv të dinamikës së korrupsionit dhe situatës komplekse të ndërtimit institucional. Prandaj, Instituti Riinvest si pjesë e Lidershipit të Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet (SELDI), është pjesë e misionit të përbashkët për krijimin e një shoqërie civile dinamike dhe të aftë për të ndikuar procesin e vendimmarrjes në fushën e anti-korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në rajon" – përfundoi Abdixhiku.
Ndërkohë të dhënat e anketës të realizuara me 1000 respondentë, rreth shkallës së korrupsionit në vend, i prezantoi Enisa Serhati – hulumtuese në Institutin Riinvest. Sipas Serhatit, niveli i korrupsionit në Kosovë mbetetet i lartë dhe qytetarët janë përgjithësisht të dëshpëruar, ndërsa një përqindje në rritje të popullsisë ka humbur besimin në mundësinë e reduktimit të ndjeshëm ose çrrënjosjen e korrupsionit. Në ndërkohë, sipas gjetjeve të anketës të prezantuar nga Serhati, qytetarët e Kosovës po bëhen më tolerant ndaj korrupsionit. Sipas rezultateve, gati një në dy qytetarë pranojnë korrupsionin si mënyrë e funksionimit të proceseve institucionale.
Pas prezantimit të gjetjeve të anketës, në cilësinë e panelistit, fjalën e morri Cezary Michalczuk, Përfaqësues Special dhe Udhëheqës për Sektorin e Ligjit pranë Zyrës së BE-së në Kosovë. Sipas z. Michalczuk, tema e korrupsionit është cështje shumë e rëndësishme për Zyrën e BE-së në Kosovë. Sipas tij, Zyra e BE-së ka shumë projekte, me të cilat i mbeshtet institucionet e ndryshme vendore, si prokurorinë, gjyqësorin, policinë, organizatat jo-qeveritare dhe të tjera. Sipas z. Michalczuk Zyra e BE-së në Kosovë po ashtu është duke mbështetur institucionet në ligjin kundër konflikitit të interesit dhe të prokurimit publik.
Ndërkohë, zëvendës prokurja e shtetit, znj. Sevdije Morina, uroi Institutin Riinvest për raportin. Sipas saj, prokuroria e Kosoves ka kapacitete, vullnet dhe gatishmëri për të luftuar korrupsionin, por ka mungesë kapacitetesh humane dhe limitime buxhetore. Sipas znj. Morina, trendi i krimit është rritur në mënyrë enorme, prandaj edhe numri i prokurorve duhet shtuar.
Në cilësinë e panelistit, i pranishëm ishte edhe Andrew Rusell, koordinator dhe përfaqësues rezident për Kosovë – UNDP. Sipas tij, korrupsioni është më shumë një sistem se sa një akt që e kryen dikush. Prandaj, dështimi për të kuptuar ndëlidhjen mes faktorëve të ndryshëm të sistemit, është dështim për ta adresuar atë.
Në pjesën e fundit të tryezës, pjesëmarrës të shumtë diskutuan rreth shkallës së korrupsionit në Kosovë, dhe mënyrave për ta luftuar atë.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, deklaroi se percepcioni negativ i qytetarëve ndaj luftimit të korrupsionit, mund të përmirësohet vetëm duke sjellë para drejtësisë figura të nivelit të lartë të involvuar në afera korruptive, si dhe duke ndjekur praktikat e institucioneve tjera si Policisë apo FSK-së.
Tryeza e organizuar, shënon hap të rëndësishëm në misionin katër vjeçar të Institut Riinvest në luftën kundër korrupsionit, si partner kyç i SELDI-t. SELDI (Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet) është koalicion anti-korrupsion i shtatëmbëdhjetë organizatave të shoqërisë civile në Evropën Juglindore, që ka për qëllim krijimin e një strukture institucionale ndër-rajonale për bashkëpunimin publiko-privat në luftimin e korrupsionit.