Bordi Drejtues i Institutit Riinvest në mbledhjen e tij të mbajtur më 9.02.2022, aprovoi Planin e Zhvillimit Strategjik të Institutit për periudhën 2022-2027. Me këtë rast, Bordi konstatoi se ky dokument zhvillimor krijon një vizion të qartë për zhvillimin e Institutit në periudhën e ardhshme, duke u mbështetur në traditën e tij të suksesshme 27 vjeçare. Veçori e zhvillimit në këtë periudhë do të jetë ngritja e ndjeshme profilit të tij kërkimor, zhvillimi dhe rritja e stafit me bashkëpunëtorë edhe nga diaspora dhe me gjerë, ndërkombëtarizimi i produkteve dhe shërbimeve dhe partneriteti me institucione dhe organizata të fuqishme kërkimore në BE dhe SHBA. Procesi i hartimit të këtij dokumenti strategjik ka siguruar një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, duke u mbështetur në idetë dhe kontributet e stafit të tij hulumtues, menaxhmentit, bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe partnerëve të Institutit. Si i tillë, ky dokument zhvillimor, mjaft ambicioz, krijon premisa për realizimin të suksesshëm të objektivave të përcaktuara me të cilat ky institut do tu përgjigjet sfidave të reja në planin kombëtar dhe sfidave globale duke mbajtur një lidership në kërkimet për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të Kosovës duke përfshirë edhe transformimin e gjelbër dhe atë digjital.