Në praninë e zyrtarëve qeveritarë dhe të organizatave të ndryshme, “Forumi Ekonomik i Grave” ka publikuar “Agjendën Nacionale për Fuqizimin Ekonomik të Grave”. Kjo ngjarje njëkohësisht shënoi edhe përmbylljen e projektit “Forumi Ekonomik i Grave”, projekt ky i mbështetur nga USAID, përmes ATRC-së, dhe i implementuar nga Insituti Riinvest.
Tryezën të hapur e shpalli Alban Hashani – Drejtor Ekzekutiv në Institutin Riinvest.
Në fjalën e tij hyrëse z. Hashani deklaroi se duke parë që pozita e grave në ekonomi nuk është proporcionale, Instituti Riinvest është angazhuar që të themelojë Forumin Ekonomik të Grave, duke falënderuar USAID-in dhe ATRC-në për mbështetjen e dhënë. Tutje, z. Hashani shtoi se Forumi Ekonomik i Grave, sot është anëtar me të drejta të plota në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku edhe jep rekomandime për politika të ndryshme. Mes tjerash, z. Hashani deklaroi se produkt shumë i rëndësishëm i Forumit është hartimi i Agjendës Nacionale për Fuqizimin Ekonomik të Grave.
Folësi i rastit në këtë ngjarje, James Hope – Drejtor Misioni i USAID për Kosovë, deklaroi të jetë tejet i lumtur për praninë dhe interesimin e madh të zyrtarëve qeveritarë, atyre nga organizatat jo-qeveritare, mediave, Institutit Riinvest dhe ATRC si partner te projektit.
Sipas z. Hope, çështja e gruas në ekonomi është çështje urgjente për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, ku gratë në Kosovë ballafaqohen me papunësi mbi 40%, dhe më pak se 15% e tyre posedojnë pronë. Gjithnjë sipas z. Hope, fakti qe ky potencial mbetet i pashfrytëzuar është shqetësim shumë i madh. Përjashtimi ekonomik ju pamundëson grave të cilat janë viktimë e dhunës familjare të kërkojnë mënyra alternative të punës dhe jetesës, duke i shtyrë ato të jetojnë në atë mënyrë, deklaroi Hope. Sipas tij, është jashtëzakonisht e rëndësishme që Forumi ka arritur të ketë një ulëse në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, dhe të ketë fuqi dhe të influencojë politikat qeveritare. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme sipas z. Hope, janë rekomandimet dhe ndryshimet që agjenda parasheh në anën legjislative, dhe fushat si puna, prokurimi, financat publike dhe të tjera, të cila sipas z. Hope janë shumë të rëndësishme pasi që përmirësojnë qasjen e grave në kujdes ndaj fëmijëve, të drejta të barabarta, trajnime arsim dhe aftësim profesional dhe të tjera. z. Hope deklaroi se ndjehet shumë krenar që USAID mbështet një projekt të tillë jashtëzakonisht ambicioz dhe pozitiv.
Ndërkohë Dita Dobranja – Hulumtuese në Institutin Riinvest, prezantoi katër dokumentet pozicionuese të Forumit, “Leja e lindjes dhe ajo prindërore”, “Infrastruktura mbështetëse për kujdesin ndaj fëmijëve”, “Shkathtësitë dhe aftësimi profesional”, dhe “Ndërmarrësia e grave”, qëndrime këto të dala nga hulumtimet dhe puna në terren e organizatave anëtare të Forumit.
Lidhur me pikën “Leja e lindjes dhe ajo prindërore”, Dobranja deklaroi se barazia ndërmjet grave dhe burrave në tregun e punës, duhet të ketë synim ofrimin e barabartë të mundësive për gratë dhe burrat. Po ashtu, sipas rekomandimeve të prezantuara nga Dobranja, leja duhet të parasheh përfshirje si të nënave, ashtu edhe të baballarëve, përmes lejes së lindjes, atësisë, dhe asaj prindërore. Sa i përket infrastrukturës së kujdesit, Dobranja prezantoi pesë modele të mundshme për investim, të cilat do të rrisnin mundësitë e përkujdesit ndaj fëmijëve, nga donatorë të ndryshëm si komunat, bizneset dhe të tjerë. Modeli 1. parasheh “Zgjerimin e Kujdesit Publik të Financuar nga Shteti”, Modeli 2. parasheh “Partneritetet Publiko-Private”, Modeli 3. “Inkurajimin e bashkë-financimit privat të përkujdesjes për fëmijë”, Modeli 4. “Zgjerimin e Qendrave të Kujdesit për fëmijë me bazë në komunitet”, dhe Modeli 5. “Subvencionimin e fëmijë në çerdhet private”.
Ndërkohë sa i përket “Shkathtësive dhe aftësimit profesional”, Dobranja ka deklaruar se kombinimi i papunësisë së lartë dhe koncentrimit të vazhdueshëm në sektorë që nuk kanë rritje të punësimi, është tregues i rëndësishëm për të përmirësuar gjendjen e grave në ekonominë e Kosovës. Lidhur me “Ndërmarrësinë e grave”, Dobranja ka deklaruar se hapat për përmirësimin e pozitës së grave duhet të bazohen në një qasje gjithëpërfshirëse, duke inkurajuar uljen e barrierave administrative e tatimore.
Ndërkohë, diskutimi me panelistë u moderua nga Iliriana Gashi, drejtoreshë e organizatës “Gratë për Gratë Kosovë”, e cila i kaloi fjalën z. Cerkin Dukolli, zv Ministër i Punës dhe Mirëqenies.
Z. Dukolli deklaroi se Ministria e Punës dhe Mirëqenies do të vazhdojë me përpilimin e ligjit të ri të punës, ku të gjitha palët do ta japin kontributin e tyre, ligj ky i cili sipas tij do të jetë gati dhe do të dërgohet në Kuvend vitin tjetër, ligj ky i cili sipas z. Dukolli do ta fuqizojë pozitën e gruas në ekonomi.
Arbër Geci, zv Ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, deklaroi se institucionet e qeverisë së Kosovës kanë shumë punë për të bërë lidhur me fuqizimin ekonomik të gruas, dhe sipas tij agjenda e publikuar sot nga Instituti Riinvest, është një ndihmesë e jashtëzakonshme për qeverinë e Kosovës. Sipas z. Geci, shkollat për aftësim profesional duhet të shfrytëzohen që t’ju ndihmojnë grave te kenë një profesion në përputhje me tregun e punës, dhe përmendi bursat të cilat do të jenë në dispozicion për gratë.
Ndërkohë Faton Thaçi, zv. Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, përmendi projektet dhe politikat qeveritare që kjo ministri ka ndërmarrë për fuqizimin ekonomik të gruas, duke përmendur subvencionim e bizneseve, ofrimin e këshillave për biznese, organizimin e panaireve. Z. Thaçi po ashtu deklaroi se në vitin 2018, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ndajë grante dhe subvencione për biznese.
Pas diskutimit të hapur me pjesëmarrës, ngjarjen e mbylli znj. Iliriana Gashi.