Instituti “Riinvest” ka publikuar sot raportin “Gratë në Tregun e Punës,” në një ngjarje ku u diskutua mbi rolin e gruas në ekonomi dhe u prezantuan të dhënat nga kjo anketë dhe të gjeturat e raportit.
Raporti paraqet të dhënat e anketës me 600 gra punëmarrëse, i pari i këtyre përmasave në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani, theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në ekonomi.
“Barrierat me të cilat gratë ballafaqohen në tregun e punës janë të shumta, duke filluar nga niveli i ulët i rrogave, deri te mundësitë e limituara për punë të përshtatshme,” tha ai. Hashani shtoi që raporti vë në pah dallime të dukshme në mes të kushteve të punës në sektorin publik dhe atë privat, gjë që është shqetësuese.
Dita Dobranja, hulumtuese në Institutin Riinvest, deklaroi se bazuar në anketën e Riinvest-it, 54 përqind e grave janë të punësuara në sektorin privat krahasuar me 41 përqind të punësuara në sektorin publik.
“Dallimet në mes sektorëve vërehen në nivelin e pagave, ku në sektorin privat paga mesatare është 329 EUR mbi 100 EUR më e ulët se paga mesatare në sektorin publik e raportuar në 443 EUR. Dallime të tilla ka edhe në nivelin e shkollimit, si dhe në kushtet e punës” tha Dobranja.
Ndërkohë, Presidentja e 4-të e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ri-theksoi se puna drejt fuqizimit të grave është e gjatë dhe ndryshimet janë shumë të vogla. dëshmojnë shqetësimet për pabarazinë gjinore në Kosovë.
“Fatkeqësisht gruaja ende nuk shihet si e barabartë me kolegët e saj burra. Vajzat ende inkurajohen nga familjet e tyre të ndjekin profesione të lehta, të njohura si profesione të grave, dhe dekurajohen ndjekin profesione si zjarrfikëse, police, e menaxhere, duke i privuar kështu edhe nga pozitat vendimmarrëse,” theksoi Jahjaga.
Miranda Jolicoeur, ushtruese e detyrës së Drejtorit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID Kosovë, tha se nuk duhet t’i detyrojmë gratë të vendosin në mes të punës dhe familjes, gratë janë të nevojshme në të dyja.
“Përfshirja e grave në fuqinë punëtore është problem ekonomik që duhet t’i preokupojë të gjithë në Kosovë, jo vetëm ata prezentë në këtë dhomë,” tha Jolicoeur.
Panelistja Luljeta Demolli, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, tha se duhet të ketë vendosmëri nga institucionet për integrimin gjinor, në mënyrë që aspekti gjinor të përfshihet dhe të adresohet nga strategjitë institucionale.
Sipas Rezarta Delibashzade, nga Instituti D4D, është me rëndësi të analizohen arsyet e mos-aktivizimit të grave në tregun e punës, të cilat shpesh ndërlidhen me mungesën e infrastrukturës publike për kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve – si çerdhe e kujdesi ditor për të moshuarit.
Tryeza është organizuar në kuadër të projektit Forumi Ekonomik i Grave, i financuar nga USAID përmes ATRC.