Numri i orëve gjatë të cilave gratë punojnë në cilën do ditë të caktuar është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i barrës jo-proporcionale që gratë kanë në punët shtëpiake të papaguara. Përveç orëve të punës, ndarja e punëve brenda një familjeje është e rëndësishme në përcaktimin e pozitave të pushtetit, veçanërisht në fuqinë e negocimit brenda familjes. Fuqia negociuese e grave që punojnë në punë të paguar dhe kontribuojnë në buxhetin e familjes është ndryshe nga ajo e grave që janë të papuna, megjithatë, ndarja e punëve brenda familjes shpesh nuk e pasqyron këtë.
Kjo validohet nga anketa e bërë së fundmi nga Riinvesti me 600 gra punëmarrëse ne mbarë Kosovën, që tregon llojin e punëve të shtëpisë që ato zakonisht i bëjnë dhe nëse ndihmohen nga dikush për t’i bërë. Nuk është për t’u habitur që më shumë se dy në tre gra (68 përqind) bëjnë vetë pastrimin e shtëpisë dhe vetëm 1 përqind e burrave angazhohen në këtë punë; pjesa e mbetur bëhet nga çifti bashkërisht ose nga ndihmësja e shtëpisë.
Ndërkohë, sa i përket përgatitjes së ushqimit, rreth 69 përqind e grave përgatisin vetë ushqimin për familjet e tyre dhe përsëri vetëm 1 përqind e partnerëve angazhohen në përgatitjen e ushqimit për familjen.
Në anën tjetër, kur kemi të bëjmë me riparimet e shtëpisë, shumica e punës (72 përqind) bëhet nga partneri, ndërsa vetëm 2 përqind bëhet nga gruaja e anketuar.
Kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj fëmijëve, në shumicën e rasteve (69 përqind) kjo bëhet bashkërisht nga çifti. Në rreth 18 përqind të rasteve, gratë marrin përgjegjësinë e vetme për kujdesje dhe prapë në më pak se 1 përqind të rasteve partneri merr përsipër kujdesin ndaj fëmijëve.
Një trend premtues shpërfaqët vetëm kur bëhet disagregimi i këtyre llojeve të punëve të shtëpisë sipas nivelit të të ardhurave. Në familjet ku gratë kanë nivel më të lartë të të ardhurave, këto detyra bëhen më shumë përgjegjësi e përbashkët e çifteve, sesa përgjegjësi e vetme e gruas. Tek gratë me nivel më të lartë të të ardhurave ka tendencë që partnerët e tyre të angazhohen më shumë në këto punë shtëpie, o duke i bërë së bashku o duke i bërë ata vetë.
Kjo tendencë është në përputhje me disa deklarata që analizojnë rolet gjinore brenda familjes, mbi të cilat gratë u anketuan. Pra, për shembull, deklarata "një grua duhet të heqë dorë nga puna e paguar nëse kjo ndërhyn me përmbushjen e punëve të shtëpisë" ka rezonuar plotësisht vetëm me 8 përqind të grave. Shifrat janë edhe më bindëse tek nivelet më të larta të pagës. Kjo tregon se si pavarësia ekonomike ndikon perceptimin e grave mbi konstruktet dhe rolet shtëpiake.