Fillimi i muajit prill të këtij viti shënon njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Pavarësisht që kjo marrëveshje është pritur me entuziazëm të madh, efektet e saj nuk pritet të jenë të menjëhershme. Të paktën jo për eksportet ngase produktet kosovare veçse kishin trajtim preferencial në tregun e BE-së që nga viti 2000. Kosova kishte përfituar nga një aranzhman i tillë i njëanshëm përmes Masave Autonome Preferenciale ku pothuajse të gjitha produktet “made in Kosova” kishin qasje të pa limituar dhe pa tarifë doganore në tregun e BE-së.
Sidoqoftë, situata do të duhej të ishte ndryshe në anën e kërkesës, pra konsumatorit kosovar. Meqenëse importet nga tregu i BE-së përbëjnë mesatarisht rreth 40% të totalit të importeve në Kosovë, hyrja në fuqi e MSA-së do të duhej të reflektohej në xhepin e konsumatorit përmes uljes së çmimeve për hiç më pak se 4,687 produkte të ndryshme të cilat janë liruar nga tarifa doganore me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje. Me përjashtim të 14 produkteve të cilat nuk janë negociuar fare, për pjesën tjetër (2,277 sosh) do të vazhdoj ta aplikohet tarifa doganore në mënyrë të përshkallëzuar për 5, 7 respektivisht 10 vite, varësisht nga shkalla e sensitivitetit të këtyre produkteve ndaj konkurrencës nga importet.
Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për muajt e parë pas hyrjes në fuqi të MSA nuk tregojnë ndonjë rritje të ndjeshme të importeve. Vlera e importeve me origjinë nga BE për periudhën Prill-Tetor të vitit 2016 ishte 738.3 milionë Euro apo rreth 5% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje nuk mund t’i atribuohet ekskluzivisht MSA-së ngase importet nga BE kishin shënuar rritje në mënyrë të vazhdueshme në vitet e kaluara.
Pasi që të dhënat e zbërthyera në baza mujore pas muajit tetor 2016 nuk janë ende në dispozicion, të dhënat në vijim iu referohen vetëm periudhës Prill-Tetor. Rrjedhimisht, për qëllime krahasuese për dy vitet paraprake do të përdoren të dhënat për të njëjtën periudhë.
Mjetet e transportit, produktet nga plastika, produktet farmaceutike si dhe produktet e ndryshme ushqimore, janë disa nga llojet e produkteve që kishin shënuar rritje në periudhën Prill-Tetor të vitit 2016 në krahasim me periudhën e njëjtë të dy viteve paraprake.
Pavarësisht trendit pozitiv të eksporteve të Kosovës, deficiti tregtar në përgjithësi vazhdon të jetë i lartë. Rritja e eksporteve nuk është proporcionale me rritjen e importeve ndërsa hendeku vazhdon e thellohet nga viti në vit. Sa i përket tregut të BE-së, në tri vitet e fundit eksportet kosovare kanë shënuar rënie. Kjo rënie mund të jetë si rezultat i rritjes së shkëmbimeve tregtare me vendet e rajonit.