Rritja dhe zhvillimi i sektorit privat është një nga komponentët esencial për zhvillimin e gjithmbarshëm socio-ekonomik në një vend. Sektori privat përveç që promovon zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e varfërisë, ai po ashtu kontribuon në krijimin e mundësive për punësim dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Mirëpo, kontributi i sektorit privat do të ishte i mangët pa një ambient biznesor miqësor. Për të vlerësuar gjendjen e gjithmbarshme të sektorit privat në Kosovë, këtë vit Instituti Riinvest ka realizuar anketën e radhës me 600 biznese kosovare, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Sipas të dhënave nga kjo anketë, vërehet një disponim relativisht i mirë sa i përket përceptimit të bizneseve lidhur me ambientin e përgjithshëm biznesor në vend. Bizneset e intervistuara kanë vlerësuar në terme të intensitetit ndikimin e 23 barrierave të ndryshme në aktivitetin e tyre biznesor. Këto pengesa kanë të bëjnë me çështje të ndryshme ligjore, institucionale, infrastrukturore, financiare, fiskale, etj. Pikët për çdo pengesë mund të ndryshojnë nga 20 deri në 100, ku intensiteti i pikëve shfaq nivelin e ndikimit negativ në biznese për vitin fiskal 2016.
Siç edhe mund shihet nga figura 1, intensiteti i barrierave është mesatar, që nënkupton ndikim mesatar të barrierave në biznese. Nëse i zbërthejmë në nivel sektorësh, shohim që Industria përpunuese kë vlerësuar barrierat me një intensitet më të lartë në raport me sektorët tjerë të ekonomisë. Në përgjithësi, bizneset që operojnë në sektorë të ndryshëm të shërbimeve e konsiderojnë si më pak serioz ndikimin e barrierave në aktivitetin e tyre.
Renditja e barrierave për nga ndikimi që ato kanë tek bizneset ndryshon po ashtu edhe për nga struktura e madhësisë së bizneseve. Tek bizneset e mëdha, “Krimi dhe vjedhjet”, “Siguria dhe stabiliteti politik”, si dhe “Qasja në financa”, janë renditur si top tri pengesat kryesore. Vlen të theksohet që “tregu i vogël” (kërkesa e vogël në tregun e brendshëm) është një nga tri pengesat kryesore tek bizneset mikro, të vogla dhe të mesme.
Sidoqoftë, intensiteti i këtyre barrierave është mesatar dhe pothuajse i ngjashëm tek të gjitha grupet e madhësisë së bizneseve. Nga figura e mëposhtme mund të themi që ekziston një korrelacion pozitiv mes madhësisë së bizneseve dhe intensitetit të barrierave. Ndikimi i barrierave është më i madh tek bizneset e mëdha dhe anasjelltas.
Nëse bëjmë një krahasim me vitin 2013, vërehet një përmirësim sa i përket intensitetit të barrierave të cilat ndikojnë në zhvillimin e bizneseve në Kosovë. Vlen të theksohet që barrierat financiare (qasja në financa dhe kostoja e financimit) të cilat ishin konsideruar si shumë serioze në vitin 2013, tashmë renditen si barriera me intensitet mesatar.