Prokurimi publik është procesi që institucionet publike ndjekin për të realizuar blerje të mallrave dhe shërbimeve, kryesisht nga sektori privat. Prokurimi publik është pjesë e konsiderueshme e ekonomisë. Në periudha të caktuara prokurimi publik në Kosovë ka arritur vlerën e 1/5-tës së BPV-së. Për më tepër, prokurimi publik është proces kyç për sigurimin e një qeverisje të përgjegjshme që përkrahë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Siç është demonstruar në Figurën 1, nga viti 2008 deri ne 2015 ka pasur mjaftë luhatje në shumën totale të kontratave të prokurimit publik në Kosovë. Këto luhatje kanë qenë të shprehura sidomos në periudhën pas pavarësisë, 2008- 2012, kur vlera e prokurimit publik si përpjesë e BPV-së ka qenë nga 10% deri në 20%. Nga viti 2012 dhe më pas është shënuar rënie e vazhdueshme e vlerës së kontratave të prokurimit publik si përpjesë e BPV-së, duke arritur në 7% në vitin 2015.
Proporcionet relativisht të larta të prokurimit publik në ekonomi nuk janë të pazakonshme, si për shtetet në zhvillim e edhe për ato të zhvilluara. Në fakt prokurimi publik është pjesë e rëndësishme e ekonomisë globale (10-20%). P.sh. qeveritë e shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në mesatare harxhojnë në prokurim publik rreth 12% të BPV-së. Franca, Holanda, Finlanda kanë vlera të prokurimit publik më të lartë se 15% e BPV-së.
Përvojë e ngjashme me atë të Kosovës vërehet edhe në mesin e shteteve të rajonit (Figura 2). Në përgjithësi ekzistojnë luhatje të forta në vlerën e prokurimit publik si % e GDP-së. Për më tepër në Bosnje dhe Hercegovinë kanë ndodhur po ashtu një rënie e vazhdueshme e vlerës së prokurimit publik.
Sidoqoftë, jo domosdoshmërish rënia e përpjesës së kontratave të prokurimit publik si përqindje e BPV-së është indikator i një menaxhimi të mirë të buxhetit shtetëror. Ajo që e bën prokurimin publik të suksesshëm është forcimi i praktikave transparente. Studime më të hershme të Riinvestit kanë treguar se vetëm 80% të kontratave të nënshkruara kalojnë përmes procedurave të hapura. Sfidat më të mëdha për mbështetjen e transparencës në prokurim publik vijnë nga fakti që institucionet vendase (kosovare dhe të rajonit) janë kryesisht të reja në luftën kundër korrupsionit. Ekziston mjaft hapësirë për konflikt interesi në mesin e politikanëve dhe bizneseve që bëjnë kontrata me qeverinë, dhe në të njëjtën kohë ka mungesë të integrimit të teknologjisë në prokurimit publik si në nivel qendror dhe lokal.
Vlera e lartë e kontratave publike që ekzekutohen përmes prokurimit publik ka rëndësi jo vetëm për të marrë vlerën me të mirë për paratë e taksapaguesve, mirëpo edhe për të krijuar një mjedis të barabartë ku kompanitë private mund të konkurrojnë për këto kontrata. Rrjedhimisht, mënyra se si ky proces ekzekutohet mbetet i një rëndësie të veçantë.