Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Riinvest Blog

Gresa Latifi

Një shtet i fortë dhe i besueshem – shtyllë kryesore për implementimin e suksesshëm të politikave industriale

Politikë industriale është çdo politikë që prek një grup të firmave dhe industrive në mënyrë të diferencuar nga grupi i mbetur i firmave dhe industrive. Çdo taksë, kredi me interes të ulët (preferencë dhënë një industrie nga bankat e kontrolluara nga qeveria) subvencion (ndihmë qeveritare), kuota importi (për të mbrojtur një industri të caktuar nga konkurrenca e importit, pra një lloj kufizimi tregtar që përcakton një limit fizik mbi sasinë e një malli që mund të futet në një vend në një periudhë të caktuar kohore) dhe masa të tjera të politikës që prekin disa firma dhe industri në dallim prej pjesës së mbetur të firmave dhe industrive mund të konsiderohen si një ndërhyrje e politikës industrial (Pack and Saggi, 2006).


Po t’i hedhim një vështrim historik mbi politikat industriale në nivel bote (pas luftës së dytë botërore), mësojmë se ekzistojnë tri etapa nëpër të cilat kanë kaluar vendet e ndryshme sa i përket ndërhyrjes në ekonomi përmes politikës industriale. Etapa e parë, karakterizohet me vitet 1940-1960, përkatësisht periudhën kur industrializimi u vlerësua si i rëndësishëm për zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik, dhe ndërhyrja përmes këtyre politikave si jo vetëm e dobishme por edhe e domosdoshme. Me kalimin e kohës, ekonomia iu la në dorë tregut të lire, bie fjala, në vitet 1970 – 1990 (përgjatë etapës së dytë), kur shikimi u kthye kah liberalizimi i tregjeve, eksportet, privatizimi, promovimi i investimeve të huaja direkte (FDI-së). Megjithatë, nga viti 2000 e tutje – politikat industriale u përtërinë përsëri, si nevojë urgjente për të strukturuar tregun në prezencë të inovacionit dhe avancimeve të tjera teknologjike.


Çfarë dobie kemi nga politikat industriale?
Shumë gjetje empirike flasin në dobi të vënies në jetë të politikave industriale. Përgjigjet e qeverive perëndimore ndaj krizës financiare të vitit 2008 njihen si një nga sukseset më të mëdha të ndërhyrjes në treg përmes politikave të tilla. Gjithashtu, suksesi i shumë ekonomive të Azisë Lindore, së fundmi Kinës, është i lidhur ngushtë me adaptimin e suksesshëm të politikave industriale. 


Sidoqoftë, duhet pasur parasysh që efekte të ngjashme nuk arrihen kur ka mungesë transparence dhe kapaciteti teknik midis politikbërësve – rrethana këto që karakterizojnë vendet me të ardhura të ulëta – në lidhje me kë politika të përzgjedhin. Mungesa e informacionit dhe e dijes mund të krijojë vështirësi për të matur dhe përcaktuar kriteret e përzgjedhjes së politikave që duhet shtyer tutje, të cilat politika në raste ideale do të duhej me përpikmëri ta zbatonin kriterin e meritokracisë. Për më tepër, qeveritë shpeshherë anshëm tentojnë të ruajnë industritë në rënie për të kursyer punësimin, gjë kjo e cila i shtyn ato të mbështesin industritë me kthim të ulët të investimeve. Politikat industriale të thurrura keq paraqesin rrezik, pasi ato mund në shumë raste të nxisin grupet e interesit të sillen në mënyrë joproduktive (promovimi i fenomenit “rent-seeking”) (Mueller, 2003). Si rrjedhojë intervenimi në treg përmes tyre mund të qoj në dështim të vet qeverisë (government failure).   

Prandaj, për një politike industriale të suksesshme, nevojitet:
o    një shteti i fortë dhe i besueshëm që koordinon prioritetet zhvillimore
o    një shtet i i fortë dhe i besueshëm që ndërhyn në ekonomi për të strukturuar mjedisin ekonomik
o    një shtet i fortë dhe i besueshëm që bashkëpunon me akterët e tjerë ekonomik për të gjeneruar sinergji.

Si do të dukeshin politikat industriale efektive?
Se a do të duhej të intervenohej në treg përmes politikave industriale, nuk është më pyetja që duhet shtruar, pasiqë përvoja tregon se politikat industriale të dizenjuara mirë mund edhe të jenë të dobishme. Sipas nobelistit Joseph Stiglitz, aktualisht, më mirë është të shtrohet pyetja se si do të duhej të dukej një politikë industriale efektive. Stiglitz (ashtu si edhe Lin, 2012) përmend se për të dizenjuar një politike industriale funksionale në ekonominë e ditëve të sotme, një vendi i duhet të filloj nga analiza e resurseve egzistuese, e pastaj të pyes se si mund të orientojë ekonominë kah dija, me po ato resurse të disponueshme. Stiglitz duke marrë si ilustrim shembullin e ekonomisë së Afrikës e cila është e orientuar në bujqësi, shpjegon se një pyetje e rëndësishmë që do të duhej shtruar nga politikbërësit afrikan do të ishte kjo: 
“meqë ne paskëshim bujqësinë si resurs primar, si do të mund ta orientnim këtë sektor në atë mënyrë që të kishim një sektor bujqësor të orientuar kah dija?”. Thënë troq, si do të mund të edukoheshin fermerët në atë mënyrë që ata të mësonin më shumë rreth teknologjive e tregjeve te reja. 


Një nga gabimet më të mëdha në të kaluaren sipas Stiglitz-it ka qenë fokusimi në edukim fillor, pa qenë të orientuar në dije. Orientimi në dije do të mundësonte që të kuptohej se nxënia e dijes nuk do të duhej të vinte vetëm nga edukimi formal, dhe se edukimi formal do të duhej të ngriste vetëdijen dhe kapacitetit e njerëzve që të mesojnë edhe pas edukimit formal. 

Një politikë industriale e suksesshme për Kosovën
Nga cka u tha më lartë, kuptohet se është relativisht sfiduese për një vend me ekonomi të dobët si Kosova të hartojë politika industriale të dobishme. Gjithesesi, disa gjetje kredibilie të McKinsey, (2011) sugjerojnë se vendet me ekonomi në zhvillim (ashtu si Kosova) do të duhej në një periudhë afatshkurtër të fokusoheshin në hartimin e politikatve industriale qe janë të lidhura me industritë aktualisht konkurruese (duke përdorur një qasje gjithpërfshirëse), në mënyrë që të akumulonin kapital njerëzor dhe fizik në periudhë afatmeseme, për të riinvestuar më tutje në industritë me produktivitet të lartë si psh. ato të teknologjisë së lartë. Për të ndjekur një agjendë të tillë duhet një shtet i fortë dhe i besueshëm.

Bibliografia
Lin, J. Y. (2012). New structural economics: A framework for rethinking development and policy. The World Bank.
Mueller, D. C. (2003). Public choice III. Cambridge University Press.
Pack, Howard, and Kamal Saggi. The case for industrial policy: a critical survey. The World Bank, 2006.

Arkiv

Politikat tregtare pa mbështetje në nevojat zhvillimore dhe me efekte kontradiktore

Më shumë

Nevoja për një ridimensionim të politikës industriale në Kosovë

Më shumë

Debati mbi Politikat Industriale - Bleron Menzelxhiu

Më shumë

Botëkuptimi i ri mbi politikat industriale dhe qasja e zbatimit të tyre në Kosovë - Muhamet Mustafa

Më shumë

Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike - Pëllumb Çollaku

Më shumë

Sfidat ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova - Gresa Latifi

Më shumë

Gradimi kreditor (credit rating) dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare - Valentin Toçi

Më shumë

Menaxhimi i borxhit publik - Petrit Gashi

Më shumë

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë