Instituti Riinvest, sot, më 8 Korrik 2021, mbajti diskutimin me titull “Inkurajimi i grave për të zgjedhur profesione me perspektivë punësimi”. Në këtë diskutim u prezantua dokumenti pozicionues lidhur me inkurajimin e grave për të zgjedhur profesione me perspektivë, i përgatitur nga Instituti Riinvest. Diskutimi u moderua nga zëvendës drejtoresha e Institutit Riinvest, znj.Saxhide Mustafa. Prezent në diskutim si panelist ishin z. Drin Haraqia, Drejtor në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, z. Arian Zeka, Drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, dhe znj. Valëza Zogjani, Hulumtuese e politikave në organizatën Demokraci për Zhvillim (D4D). Dokumenti paraqet një aktivitet të projektit të organizuar nën iniciativën e titulluar Human Rightivism të mbështetur nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim e Zhvillim (SIDA) dhe të zbatuar nga Fondi për Zhvillimi të Komunitetit (CDF). Qëllimi kryesor i projektit është avancimi i të drejtave të grave në Kosovë.
Dokumenti është hartuar me qëllim që të prezantoj pozicionin e Institutit Riinvest lidhur me inkurajimin e grave për të hyrë në profesione që kanë perspektivë më të mirë në tregun e punës. Qëllimi i dokumentit pozicionues është të minimizoj stereotipat gjinorë në lidhje me profesionet dhe të rris ndërgjegjësimin e grave në lidhje me rëndësinë e zgjedhjes së profesioneve që kanë perspektivë më të mirë në tregun e punës.
Gratë në ekonominë e Kosovës përballen me shumë sfida. Në fuqinë punëtore, më shumë se 78.5% e grave janë joaktive krahasuar me burrat me 41.1%. Për gratë që janë aktive, shkalla e papunësisë është rreth 33.1% kurse te burrat 21.5% (ASK, 2020). Përtej nivelit të ulët të aktivitetit në tregun e punës, gratë të cilat janë aktive ballafaqohen me barriera si për gjetjen e vendit të punës, ashtu edhe për ruajtjen e vendit të punës. Në përgjithësi, gratë kanë më shumë gjasë të jenë të punësuara në punë të paqëndrueshme. Gratë në tregun e punës në Kosovë, përveç sfidave me mospërputhje të shkathtësive, gjithashtu ballafaqohen edhe me ofertë të limituar të trajnimeve nga Qendrat e Trajnimit Profesional (QAP) dhe aftësimit profesional nga Shkollat e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP). Përveç problemeve me kërkesën për punë, në Kosovë shumë pak të rinj marrin këshilla lidhur me orientimin në karrierë. Në mungesë të një këshillimi më adekuat e profesional, të rinjtë nuk bëjnë zgjedhje të informuar kur përzgjedhin karrierën e tyre. Si rezultat mund të përfundojnë duke përzgjedhur profesione në sektorë të cilët nuk kanë potencial. Kombinimi i papunësisë së lartë dhe koncentrimi i vazhdueshëm në sektorë që nuk kanë rritje të punësimit, janë tregues të rëndësishëm se gratë në ekonominë e Kosovës janë në pozitë të pafavorshme. Përballë këtij sfondi, Instituti Riinvest ka analizuar kërkesën e grave për punë dhe aftësim profesional si dhe profilet të cilat kanë gjasa më të mëdha punësimi, si dhe ka ofruar rekomandime që tentojnë të përafrojnë kërkesën dhe ofertën për punë, në mënyrë që të rris vetëdijesimin e grave për zgjedhjen e profesioneve me perspektive.
Andaj Instituti Riinvest mendon se duhet të bëhet rritja e numrit të trajnimeve dhe certifikimeve specifike që ofrohen për gratë. Më specifik, duhet të përpilohen kurrikula dhe të ofrohen trajnime dhe certifikime të nivelit pesë (5) të kualifikimit kombëtar në shkathtësitë e identifikuara si të nevojshme nga tregu i punës. Për trajnimet e tilla, posaçërisht për ato në sektorët në të cilat gratë janë të nën-përfaqësuara, në rastet kur janë me pagesë, duhet të ofrohen bursa që shënjestrojnë gratë në veçanti. Gjithashtu, duhet promovuar sektorët me potencial për rritje dhe duhet ngritur nivelin e vetëdijesimit të grave për këto sektor dhe për rëndësinë e punësimit në ato sektorë.
Për më tepër, duhet të themelohen Qendrat për Orientim në Karrierë në nivel komunal të cilat do t’i shërbenin nxënësve të shkollave fillore, duke i informuar rreth mundësive për regjistrim në shkolla të mesme profesionale. Kurse, për nxënësit të cilët tashmë janë regjistruar në shkolla të mesme të përgjithshme, udhëzimet për karrierë duhet të ofrohen në shkolla. Duhet të bëhet implementimi i projekteve të cilat u ofrojnë mundësi vajzave në klasën e nëntë të ushtrojnë profesione jo-tradicionale, për së paku një ditë ose edhe si punë praktike me afat më të gjatë. Për të rritur atraktivitetin e sektorit privat, duhet të bëhet një fushatë ndërgjegjësimi ndaj bizneseve. Fushata do të informojë bizneset se gjërat më të rëndësishme të cilat i vlerësojnë të rinjtë nuk lidhen domosdoshmerisht (vetëm) me pagat; përkundrazi, përpjekjet e bizneseve duhet të përqendrohen më shumë drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe faktorëve të tjerë që lidhen me punën.
Panelistët theksuan nevojën e organizimit të trajnimeve specifike si dhe krijimit të urave lidhëse ndërmjet vajzave dhe grave si dhe sektorit privat. Në këtë aspekt u cek se duhet të forcohet lidhja në mes të sektorit privat dhe Agjencisë për Punësim në Republikën e Kosovës. Si dhe duhet të promovohen më shumë shërbimet e ofruara nga Agjencia për Punësim në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, duhet të rritet numri i këshilltarëve për karrierë si dhe të organizohen skema për angazhimin në punë praktike në kompani private.
Një tjetër pikë me rëndësi e cila u cek nga panelistët ishte se duhet të analizohen faktorët të cilët po ndikojnë që gratë të mos zgjedhin profesione me perspektive punësimi.