Në kontekst të aktiviteteve të fundit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe qëndrueshmërisë buxhetore të vendit, dy zhvillimeve duhet kushtuar kujdes i veçantë:
E para është e lidhur me ndryshimet e fundit të ligjit mbi Agjencinë (Ligji Nr. 06/L -023, i dekretuar në mars 2018), të cilat mundësuan zhbllokimin e mjeteve të Fondit të Mirëbesimit por me koston e rritjes së borxhit publik të vendit. Sipas ndryshimeve legjislative në fjalë, Agjencia do të transferoj fundet e privatizimit në Buxhetin e vendit edhe pa u finalizuar në tërësi procesi adresimit të kërkesave kreditore karshi ndërmarrjeve shoqërore. Sipas Ligjit: “pas llogaritjes së shumës së nevojshme për përmbushjen e vendimeve të vlefshme të kërkesave kreditore në proces të likuidimit, … , Fondet e Përkohshme, nëse ka të tilla, barten nga Agjencia në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, në një llogari të veçantë në Thesarin e Kosovës, të cilat fonde të përkohshme përdoren për investime që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit”. Mirëpo, kjo është bërë me garanci të forta nga ana e Qeverisë. Sipas po të njëjtit ligj, Qeveria e vendit “garanton dhe e ka obligim të pakushtëzuar” t’ia kthej fondet Agjencisë brenda tridhjetë ditësh kalendarike nëse mjetet e mbajtura nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar në tërësi kërkesat kreditore të aprovuara me vendim final nga Dhoma e Posaçme. Për më tepër, kërkesa e Agjencisë për kthimin e fondeve ka prioritetin më të lartë të pagesave të parapara sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Sipas Ligjit të Agjencisë: “kërkesat e Agjencisë drejtuar Ministrisë së Financave për kthimin e fondeve të përkohshme e përbëjnë prioritetin e parë kundër llogarisë së përgjithshme të Thesarit dhe këto fonde të përkohshme nuk do t’i nënshtrohen asnjë ankese apo pretendimi tjetër nga cilado palë.”
këto ndryshime është hapur rrugë që gjatë 2019, dhe dy viteve në vijim, të transferohen më shumë se €200 milion nga Fondet në Mirëbesim. Edhe përkundër faktit që këto transfere do të rrisin shumën e borxhit publik, projektimet e Agjencisë sygjerojnë se rastet kur kjo e fundit mund të kërkoj kthim të mjeteve nga Qeveria do të jenë të rralla. Si do që të jetë, është shumë e rëndësishme që Qeveria t’i përmbahet parimit të shpenzimit të këtyre mjeteve për projekte afatgjata zhvillimore, e të mos sfidohet nga kërkesat për transfere “sociale” shtresave të ndryshme të shoqërisë.
Çështja e dytë ka të bëjë me një seri vendimesh të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e pronave nën menaxhimin e Agjencisë për nevoja të Komunave. Vetëm gjatë vitit 2018 Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpronësim të parakohshëm të qindra asseteve të tilla. Në pjesën më të madhe kërkesat e Komunave janë shumë legjitime; pronat nën menaxhimin e Agjencisë kërkohen me qëllim të realizimit të investimeve në infrastrukturën komunale, si rrugë, shkolla, shtëpi shëndeti, varreza, etj. Mirëpo, vendimet e tilla të Qeverisë do të duhej të mbështeteshin në analizë të arsyeshmërisë së projekteve të tilla, përfshirë këtu edhe analizën financiare. Se sa kompleks është adresimi i këtyre kërkesave mjafton t’i referohemi faktit që prej ekzistencës së Agjencisë vendime e tilla mund të numërohen në gishta, dhe atë të vetëm njërës dorë. Ndërsa, vetëm gjatë vitit 2018 janë mbi 500 asete të shpronësuara për nevoja të komunave.
Vendimet e tilla të Qeverisë mund të kontestohen në disa rrafshe. Së pari, baza ligjore këtyre vendimeve është e kontestueshme (procesi për momentin është pezulluar para se Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të Presidentit, të jap intepretimin e kushtetuetshmërisë së këtyre vendimeve). Për më tepër, në mesin e këtyre pronave ka të tilla që janë shitur nga Agjencia para një dekade. Mbi të gjitha, problemi kryesor qëndron në atë se dikush duhet të bartë barrën financiare të këtyre shpronësimeve, ose qeveritë lokale ose qeveria qëndrore. Legjislacioni aktual kërkon që institucioni që kryen shpronësimin (e që mund të jenë vetëm Qeveria apo komunat) duhet të paguajnë 20%-in e vlerës së asetit ish punëtorëve të ndërmarrjes, 5% Agjencisë për mbajtjen e operacioneve të saj, dhe të paguajnë pjesën e kërkesave të aprovuara kreditore me vendim final. Vetëm pas shlyerjes së këtyre obligimeve, Agjencia do t’ua bartë edhe formalisht komunave pronën. Në këtë kiontekst, sipas vendimeve të vitit 2018, komunat janë ato të cilat duhet të bartin barrën financiare të këtyre shpronësimeve. Mirëpo, historikisht komunat nuk kanë qenë në gjendje të bartin një barrë të tillë, prandaj edhe kërkesat e tyre janë refuzuar në vazhdimësi nga Agjencia. Si rrjedhojë, komunat gjithnjë i janë drejtuar institucioneve qëndrore që ta marrin përsipër barrën financiare të shpronësimit. Nëse Qeveria pranon kërkesën e komunave dhe merr përsipër pagesën e këtyre shpronësimeve atëherë presioni mbi buxhetin e vendit do të rritej tejmase (që tani janë mbi €70 milion asete të vlerësuara që janë shpronësuar nga Qeveria e vendit për projekte infrastrukturore në nivel nacional; asnjë qindarkë ende nuk është paguar). Nuk duket të ketë indikacione që Qeveria e vendit është e gatshme të marr një barrë të tillë! Si do që të jetë, rreziku potencial qëndron në atë nëse vendimet preliminare të Qeverisë për shpronësimin e këtyre pronave mund të shihen nga qeverisjet komunale si dritë e gjelbër për hapa të njëanshëm në shfrytëzimin e këtyre pronave pa kryer obligimet që dalin nga procesi i shpronësimit dhe pa analizuar reperkusionet e mundshme. Nëse diçka e tillë ndodhë, vendi – Qeveria apo komunat – rrezikohet të ekpozohet ndaj kërkesave kreditore dhe padive të tjera nga kushdo që ka pretendime mbi këto ndërmarrje. Dicka e tillë do të kërcënonte shumë më tepër se sa vetëm qëndrueshmërinë financiare të vendit.