Institute for Development Research Riinvest

Riinvest Blog

Valentin Toçi

Gradimi kreditor (credit rating) dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare

Fillimisht do të isha ndalur në disa çështje ndoshta më teknike të objektivave që kemi parë në raportin e qeverisë mbi borxhin publik. Një nga objektivat e nënvizuara është “Fillimi i përgatitjeve të nevojshme për integrim në tregjet ndërkombëtare të letrave me vlerë.” Këtu automatikisht na lindë një problem. Vendi nuk ka gradim kreditor (credit rating), i cili është i domosdoshëm për integrim në tregje financiare ndërkombëtare dhe potencialisht për të financuar borxhin publik.

Ka pasur një iniciativë para 7-8 viteve për të bërë gradimin kreditor të Kosovës, por ai projekt nuk ka përfunduar. Ndoshta në atë kohë ka qenë vendim i mirë sepse do të mund të gradonte Kosovën jo edhe aq mirë – potencialisht do të limitonte huamarrjen në aspektin e vëllimit dhe kostos së financimit. Nëse shikojmë të dhënat, borxhi I brendshëm ka një kosto relativisht të ulët të huamarrjes (normat efektive rreth 1.5%), kurse huamarrjet ndërkombëtare kanë një normë efektive rreth 3%. Këto norma janë mjaft të ulëta për shkak të krizës së fundit financiare globale ku qeveritë kanë intervenuar me masa fiskale dhe monetare dhe është krijuar një ambient ndërkombëtar I normave të ulëta të interesit – që është reflektuar edhe tek ne.

Nëse gradimi I vendit nuk është bërë në kohën e lancimit të projektit të borxhit publik, e që mund të ketë pasur një racionale ekonomike, atëherë është mirë të debatojmë nëse është mirë t’I rikthehemi dhe të bëjmë gradimin kreditor të vendit. Rekomandimi im do të ishte që do duhej të bëhej – një proces ndoshta i paevitueshëm në të ardhmen, ku do të shohim reflektimet në vëllim dhe kosto të huamarrjeve dhe borxh publik.

Ekziston një anomali në rastin tonë për shkak të mungesës së gradimit. Për shembull, letrat me vlerë të emetuara nga qeveria e Kosovës dhe të financuara nga bankat komerciale (rreth 40% e borxhit të brendshëm) provizionohen me 0% sipas ligjeve dhe rregulloreve ne fuqi. Në anën tjeter, bankat me kapital të jashtëm, në pasqyrat e konsoliduara me bankat amë provizionojnë këto letra me vlerë me 100% (konsistent me rregullat ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar për rastet e letrave me vlerë të emetuara nga vendet pa gradim). Kjo anomali e ligjit dhe rregulloreve mbi provizionimet duhet të adresohet. Natyrisht, kësaj duhet t’i paraprijë një analizë mbi implikimet financiare, në kosto dhe vëllim të financimit të borxhit publik.

Nga raportet që kemi parë, ai i Qeverisë, Auditorit të përgjithshëm dhe Raporti I Riinvest, në pjesën dërmuese të konstatimeve që dha Profesor Muhamet Mustafa pajtohem. Për shembull, dobësitë në zbatim të projekteve të financuara përmes borxheve; financimi i shpenzimeve rrjedhëse përmes borxhit, etj. Nga të dhënat që pamë reflektohet një kapacitet absorbues tejet të limituar i ekonomisë.

Për t’u ndërlidhur me këtë, çështjen e kapacitetit absorbues të ekonomisë dhe prioritetet e zhvillimit ekonomik të vendit, natyrisht borxhi duhet të jetë I ndërlidhur me këtë të fundit. Tani për tani struktura sektoriale e destinimit të borxhit publik dominon me mbi 50% në infrastrukturë rrugore, ujore, hekurudhore. Në anën tjetër arsimi merr pjesë me 2%. Në afat të shkurtër dhe të mesëm mendoj që rreziqet nga borxhi publik janë minimale. Por në afat të gjatë destinimi duhet të ndërlidhet me prioritetet dhe strategjinë zhvillimore të vendit në funksion edhe të kapacitetit absorbues të ekonomisë. Kur jemi tek strategjia, prioritetet zhvillimore dhe kapaciteti absorbues I ekonomisë menjëherë na shkon në mendje sektori i arsimit dhe reformat në sector të arsimit. Jo në sektorin e arsimit që kemi tani, dhe jo vetëm tek ne por edhe më gjerë, ku është shumë diskutabile nëse atë çka ofron sektori ekzistues arsimor është i përshtatshëm për tregun e punës së të ardhmes – nën kushtet e revolucionit të katërt industrial dhe inteligjencës artificiale. E po ashtu, në këtë rrethinë, është e vështirë të përcaktojmë edhe sektorët me potencial për të ardhmen si pjesë e strategjisë dhe prioriteteve zhvillimore të vendit.

Kur jemi tek borxhi publik/shtetëror gjithnjë duhet të jemi të vëmendshëm. Një model i vogël I pasojave të borxhit publik është kriza greke. Për shembull, problemet në sektorin financiar ka kush të adresojë. Shpesh qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare intervenojnë për të shpëtuar sektorin. Në një situatë hipotetike ku problem I borxheve shtetërore do të paraqitej në nivel global, atëherë do të luteshim për ekzistencën e jashtëtokësorëve për të na shpëtuar

Archive

Politikat tregtare pa mbështetje në nevojat zhvillimore dhe me efekte kontradiktore

Read more

Një shtet i fortë dhe i besueshem – shtyllë kryesore për implementimin e suksesshëm të politikave industriale

Read more

Nevoja për një ridimensionim të politikës industriale në Kosovë

Read more

Debati mbi Politikat Industriale - Bleron Menzelxhiu

Read more

Botëkuptimi i ri mbi politikat industriale dhe qasja e zbatimit të tyre në Kosovë - Muhamet Mustafa

Read more

Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike - Pëllumb Çollaku

Read more

Sfidat ekonomike neper te cilat po kalon Kosova

Read more

Kosovo's Public Debt Management

Read more

Download Report

Our Team