Kosova po vazhdon të gjenerojë shpërputhje të mëdha makroekonomike duke prodhuar shifra pesimiste në papunësi – 30.7%. Situata është kritike sidomos në grupmoshën 15-24 vjet ku situata është përkeqësuar me 55% të papunë.
Këto pasoja konsideroj se janë nga modeli aktual i rritjes ekonomike. Ato mund të kristalizohen nëse shikojmë komponentët struktural të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) të cilin e dominon kryesisht konsumi me 85%. Komponenta e shpenzimeve qeveritare poashtu dominohet nga shpenzimet në paga dhe meditje, të cilat me ligjin e ri për paga mund të arrijnë lehtësisht nga 1/3-ta në 50%. Shpenzimet vazhdojnë të rriten kryesisht në komponenta joproduktive që nuk gjenerojnë rritje të qëndrueshme afatmesme dhe afatgjatë. Rritja e shpenzimeve është në proporcion të zhdrejtë me të hyrat e buxhetit - këto të fundit kanë nevojë edhe për një diversifikim (kryesisht janë nga TVSH dhe doganat). Rrjedhimisht, fare lehtë mund të përfundojmë në situatë ku pagat dhe meditjet do ti financojmë me borgj pasi që të hyrat nuk e përkrahin një gjë të tillë.
Në këtë komponentë, shpenzimet kapitale kanë ngelur tek 1/4. Në fakt, kjo vlerë po dëshmohet e pamjaftueshme për investime publike, në mënyrë që të adresojë nevojat kruciale për një ekonomi të denjë me ambient më konkurrues dhe të aftë për të joshur investime të huaja direkte dhe pwr tw bwrw biznes (që u cekën nga z. Zogaj) – infrastrukturë fizike, humane e digjitale, sundim të ligjit, etj. Rëndësia e institucioneve është vitale për zhvillim, por, të pritet për ndryshimin e tyre është vazhdim i trajektores aktuale që po mban vendin në status-quo.
Andaj, për rrugëdalje nga kjo status quo, përveç rekomandimeve të raportit - në harmoni me kornizën e Strategjisë për Europën Juglindore 2020 të zhvilluar nga Bashkimi Europian dhe Regional Cooperation Council – emergjent është një koordinim gjithpërfshirës përmes një grupi të unitetit për zhvillim ekonomik kombëtar i përbërë nga spektri akademik dhe politik i Kosovës, me një adresë kryesore, për të sjellë një kornizë-strategji gjithëpërfshirëse të zhvillimit ekonomik kombëtar (ideale çdo pesë vite) me masa dhe politika të integruara mire me synim adresimin e problemeve aktuale dhe të ardhshme, dhe interesave shtetërore që ka ekonomia e Kosovës.