Institute for Development Research Riinvest

Riinvest Blog

Nevoja për një ridimensionim të politikës industriale në Kosovë

Debati rreth rolit të shtetit në ekonomi është i hershëm. Oponentët e politikave intervencioniste argumentojnë se qeveria nuk është në gjendje të vlerësojë shanset për sukses ekonomik më mirë se sa tregu, apo thënë ndryshe është e diskutueshme nëse burokratët janë në gjendje të vlerësojnë mundësitë e tregut për zhvillim të biznesit më mirë se ndërmarrësit. Në anën tjetër, proponentetët e politikave industriale argumentojnë se dështimet e tregut janë arsyet kryesore për politika aktive industriale. Në veçanti për shtete në zhvillim apo ato të pazhvilluara nevoja për politika industriale aktive është edhe më e rëndësishme. Dështimet e tregut i arsyetojnë politikat intervencioniste industriale mirëpo politikat e dështuara industriale krijojnë efekte negative më të mëdha se sa mos-intervenimi.

vendet në zhvillim, si dhe me origjinë të re të sektorit privat, sikurse në Kosovë, me institucione jo të forta të ekonomisë së tregut, nevoja për intervenime dhe politika industriale është më se e qartë. Për më tepër, Kosova ka pasur kushte fillestare të tranzicionit jo të barabarta me vendet e rajonit për shkak të okupimit dhe të deindustrializimit gjatë viteve të ’90-ta, së fundmi edhe probleme të ndërtimit të shtetit ligjor dhe funksional. Këto diferenca të luftës në Kosovë janë evidente edhe në ‘hendekun’ e produktivitetit të Kosovës dhe vendeve tjera, sidomos të rajonit, të cilat e forcojnë edhe më shumë argumentin për një politikë industriale më aktive në Kosovë.

Përvojat e limituara dhe të fragmentuara industriale në Kosovë tregojnë disa politika intervencioniste të cilat nuk kanë sjellur rezultatet e pritura. Një ndër sektorët që është përkrahur më së shumti nëpërmjet skemës së granteve ka qenë bujqësia, sektor i cili kohëve të fundit është subvencionuar mjaft shumë dhe rezultatet lënë për të dëshiruar. Në anën tjetër kemi sektorin e teknologjisë informatike dhe shërbimeve me vlerë të shtuar, i cili ka shënuar rritje dhe është zhvilluar pa politikë industriale adekuate për përkrahjen e këtij sektori. Kjo flet për kujdesin e shtuar që duhet të ketë Kosova lidhur me politikat industriale sepse kostoja e politikave industriale është e madhe.

Në këto njëzet vitet e fundit Kosova ka ndjekur një politikë pothuajse tërësisht liberale. Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova nuk ka aplikuar asnjë masë nxitëse për investitorë të huaj, apo në rastin më të mirë kanë qenë shumë të papërfillshme. Vendet si Serbia dhe Maqedonia Veriore kanë aplikuar lirime tatimore dhe doganore, subvencione dhe grante direkte për investitorë të jashtëm për çdo të punësuar pasi kompania e huaj të ketë kaluar një limit të caktuar për punësim. Serbia ka shkuar edhe më tej, duke përcaktuar zonën ekonomike varësisht nga interesimi i investitorit të huaj për një lokacion. Praktikisht çdo lokacion mund të shndërrohet në zonë ekonomike nëse kompanitë globale strategjike janë të interesuara për të investuar në atë zonë. Jo rrallë, këto lirime apo lehtësira fiskale si dhe subvencionime direkte kalojnë edhe vlerën e investimit të realizuar nga kompania e huaj. Këto insentiva të aplikuara në Ballkanin Perëndimor nxjerrin në pah ndërvarësinë rajonale të politikave industriale, sidomos në garën për të tërhequr investitorët e huaj. Edhe pse roli i këtyre politikave për tërheqjen e investitorëve të huaj është i diskutueshëm sepse nuk është përcjellur me politika horizontale për të ngritur kapacitetet lokale të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për t’u bërë pjesë e zingjirit global të furnizimit.

Në vazhdën e këtij diskutimi vjen në pah identifikimi i sektorëve potencial që mund të jenë cak i politikave industriale në Kosovë. Një ndër sektorët që mund të avancohet tutje është sektori i teknologjisë dhe informacionit dhe shërbimeve me vlerë të shtuar. Kostoja e ultë e fillimit të biznesit në krahasim me tregjet e koncentruara dhe industritë tradicionale ku kërkohet më shumë kapital iniciues, konsiderohen si përparësi të këtij sektori. Globalizmi dhe ekonomia digjitale iu ka mundësuar edhe të rinjve nga vendet e pazhvilluara të bëhen pjesë e tregut global, nëpërmjet eksportit të shërbimeve etj. Kosova ka një potencial të madh në këtë sektor. Paga mesatare aktuale në këtë sektor është pothuajse dyfish më e madhe se sa e pagës mesatare të sektorit privat – dhe hulumtimet tregojnë se nuk ka emigrim të punonjësve në këtë sektor për shkak të mundësisë për të punuar nga Kosova dhe realizuar shitje në BE. Në të njëjtën kohë iu mundëson të rinjve të shijojnë benefitet e tatimeve të ulëta, krahasuar me Bashkimin Evropian. Kjo tregon që Kosova ka nevojë të hyjë në një stad të ri të zhvillimit industrial nëpërmjet të ridizajnimit të politikave industriale drejt industrive jotradicionale.

Si përfundim roli i politikëbërësve apo kredibiliteti i atyre që dizajnojnë dhe zbatojnë këto politika është shumë i rëndësishëm. Në vendet me korrupsion të lartë gjasat për dështim të politikave publike në përgjithësi dhe politikave industriale në veçanti janë evidente. Rrjedhimisht, niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë dëshmon problemet evidente me cilësinë e institucioneve dhe qeverisjes që paraqesin rrezik kryesor për suksesin e politikave industriale.

Archive

Politikat tregtare pa mbështetje në nevojat zhvillimore dhe me efekte kontradiktore

Read more

Një shtet i fortë dhe i besueshem – shtyllë kryesore për implementimin e suksesshëm të politikave industriale

Read more

Debati mbi Politikat Industriale - Bleron Menzelxhiu

Read more

Botëkuptimi i ri mbi politikat industriale dhe qasja e zbatimit të tyre në Kosovë - Muhamet Mustafa

Read more

Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike - Pëllumb Çollaku

Read more

Sfidat ekonomike neper te cilat po kalon Kosova

Read more

Gradimi kreditor (credit rating) dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare

Read more

Kosovo's Public Debt Management

Read more

Download Report

Our Team