Pas përfundimit të suksesshëm të gjeneratës së parë të shkollës së gjelbër, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Instituti Riinvest fton gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, hulumtues dhe profesionistë të sektorit të energjisë nga Kosova të aplikojnë për ciklin e dytë të Shkollës së Gjelbër që organizohet nga Green Action Space (projekt i përbashkët i KFOS-it dhe Institutit Riinvest).
Qëllimi:
Qëllimi i shkollës së gjelbër është të njoftoj pjesëmarrësit mbi çështjet mjedisore duke inkurajuar debatin dhe avokimin në kontekst të agjendës së gjelbër. Përmes ligjëratave interaktive dhe punëtorive jashtë vendit, me ligjërues vendorë dhe ndërkombëtarë, pjesëmarrësit do të fitojnë njohuri themelore në lidhje me: (i) Klimën dhe energjinë; (ii) zhvillimin e qëndrueshëm dhe ekonominë qarkore; (iii) pikat me të rrezikuara mjedisore në Kosovë, dhe (iv) politikat mjedisore dhe aktivizmin qytetar. Pas përfundimit të shkollës, pjesëmarrësit do të: (a) kuptojnë konceptet kryesore të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së dhe agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor; (b) kuptojnë politikat publike si përgjigje ndaj sfidave mjedisore dhe zhvillimore; (c) angazhohen në ngritjen e vetëdijes qytetare dhe përmes avokimit në përmirësimin e politikave mjedisore; (d) kuptojnë konceptet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekonomisë qarkore.
Në kuadër të shkollës së gjelbër do të organizohen dy punëtori në Shqipëri dhe 12 sesione ligjëratash që do të mbahen përgjatë 14 javëve. Plan programin e shkollës mund ta shkarkoni këtu:
https://bit.ly/3yPIMwv
Aplikimi:
Për të aplikuar në Shkollën e Gjelbër, nga kandidatët kërkohet të përgatisin aplikacionin me dokumentet e mëposhtme:
- CV jo më të gjatë se dy faqe (formati: EUROPASS)
- Letër motivuese (tema: Si do të ju ndihmoj kjo shkollë në punën që bëni?)
Kriteret e përzgjedhjes:
Kandidatët duhet të dërgojnë dokumentacionin e plotë, të tregojnë interes serioz për pjesëmarrje, si dhe të jenë në gjendje të marrin pjesë në të dyja punëtoritë që organizohen në kuadër të shkollës së gjelbër. Gjithsej 30 kandidatët më të suksesshëm do të përzgjidhen për pjesëmarrje. Në veçanti inkurajohet pjesëmarrja e grave. Aplikacionet e pjesshme nuk do të merren parasysh. Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit e suksesshëm do të marrin certifikatë. Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen nga ekipi i Green Action Space. Dokumentacioni i plotë duhet të dërgohet në adresën elektronike: [email protected], deri me datë 7 Nëntor 2022, në ora 23:59.
Organizimi:
Punëtoria hyrëse dhe përmbyllëse do të organizohet në Shqipëri. Datat preliminare për organizimin e punëtorive janë paraqitur në plan program. Sesionet e ligjëratave do të mbahen në Kosovë. Të gjitha shpenzimet e pjesëmarrësve do të mbulohen nga Green Action Space, duke përfshirë akomodimin, ushqimin, pijet dhe transportin. Gjuha e përdorur gjatë shkollës është shqipe dhe angleze, varësisht nga ligjëruesi do të ofrohet përkthim simultant. Për informata më të hollësishme, ju lutem kontaktoni Tringë Shkodra në adresën elektronike:
[email protected] apo në numrat e telefonit +383 (0) 38 223 816; 44 542 911, çdo ditë pune prej orës 10:00 – 16:00.