Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Projektet aktuale

1

“Përkrahje në aktivitetet kërkimore dhe ngritjes së kapaciteteve në fushën e analizave të tregut të punës dhe punësimit (ATTP) si dhe trajnimeve në Kosovë”

Qëllimi kryesor i këtij projekti është që të ofrojë një pasqyrë të qartë të tregut të punës dhe punësimit në disa komuna të Kosovës, përkatësisht në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Gjakovë, dhe Vushtrri, në mënyrë që të dizajnohen intervenime që mund të gjejnë zbatim në nivelin qendror dhe lokal të bazuara në evidencë empirike. Kjo do të arrihet përmes aktiviteteve kërkimore të bazuara në të dhënat parësore dhe dytësore në fusha të ndryshme përfshirë, por pa u kufizuar në kërkesën dhe ofertën për punë, mekanizmat për harmonizim, praktikat lidhur me resurset humane, migrimi i fuqisë punëtore, etj., si dhe lloje të ndryshme të respondentëve përfshirë bizneset, asociacionet e bizneseve, studentët, dhe ekspertët e fushës. I gjithë procesi do të shoqërohet me punëtoritë për zhvillim të kapaciteteve për të gjitha palët e interesit si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror duke u fokusuar në aspektet si në vijim: Metodologjia e ATTP, parashikimi i nevojave për shkathtësi, instrumentet për mbledhje e të dhënave, metodat dhe teknikat për analizën e të dhënave lidhur me tregun e punës dhe formulimi i rekomandimeve për politika. Ky projekt përkrahet nga programi i GIZ për rini, punësim dhe shkathtësi (YES).

 

2

Njësi Matëse (xIndex) për aktivitetet e Prokurimit Publik

“Njësia Matëse (xIndex) për Aktivitetet e Prokurimit Publik” është projekt i cili ka për qëllim të masë dhe të vlerësojë aktivitetet e prokurimit në nivel komunal, përmes një indeksi, të zhvilluar përmes një metodologjie statistikore. Modeli statistikor, i zhvilluar nga dy hulumtues nga Republika Çeke (zindex), dhe i adaptuar nga Riinvest, përmban 10 indikatorë, ku secili prej tyre matë performancën e aktiviteteve te prokurimit në nivele të ndryshme. Një qëllim tjetër i projektit, është që përmes trajnimeve dhe punëtorive, të zhvillojë dhe të fuqizojë kapacitetet e Organizatave të Shoqërisë Civile përgjatë 38 komunave të Kosovës, që të monitorojnë dhe raportojnë gjetjet e aktiviteteve të këtyre komunave në prokurim publik, në baza mujore. “Njësia Matëse (xIndex) për Aktivitetet e Prokurimit Publik”, është pjesë e projektit “Komuna Transparente, Efektive, dhe Llogaridhënëse (TEAM)”, i mbështetur nga USAID. 

3

Indeksi i Konkurrueshmërisë së Komunave (IKK) - Pala Kontraktuese – USAID Kosovo

Instituti Riinvest do të bëjë implementimin e projektit "Indeksi i Konkurrueshmërisë Komunale (IKK)" në 38 komuna të Kosovës. IKK luan një rol të rëndësishëm në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme, performancës dhe sfidave të bizneseve dhe sektorit privat në përgjithësi në nivelin komunal. IKK, i cili bazohet në metodologjinë e Indeksit të Qeverisjes Lokale të Fondacionit të Azisë ofron bazën për një strategji kërkimi shkencor të mirëfilltë. Indekset dhe nën-indekset e konkurrueshmërisë janë krijuar në bazë të raporteve shkencore të tranzicionit ekonomik dhe konsultimit të ngushtë me aktorët kyç për zhvillimin e tregut lokal. Duke ndjekur parimet e kuadrit të kërkimit të IKK-së, zbatimi do të ndjekë një rrjedhë pune rigoroze në të gjitha fazat duke përfshirë hartimin e anketave, pilotimin, dizajnin e mostrës, grumbullimin e të dhënave, analizimin dhe raportimin e të dhënave.

4

Këshilli i Evropës – Fuqzimi i Kualitetit dhe Efiçiencës së Drejtësisë në Kosovë (KoSEJ)

Qëllimi i përgjithshëm i këtij aktiviteti, është realizimi i anketave të kënaqshmërisë me përdorues gjykatash, analizimi i të dhënave të grumbulluara, dhe ofrimi i trajnimeve mbështetëse për stafin në tri Gjykata Bazike, kryesisht në Prishtinë, Prizren dhe në Gjakovë. Ky aktivitet është i mbështetur nga Këshilli i Evropës, projekti Fuqizimi I Kualitetit dhe Efiçiencës së Drejtësisë në Kosovë (KoSEJ), projekt ky i cili synon të përmirësojë kualitetin dhe funksionimin ditor të sistemit të drejtësisë në Kosovë. 

5

Aksioni për Revitalizimin e Afarizmit, Turizmit dhe Infrastruktrurës në Novobërdë

Projekti ka për qëllim mbështetjen e përpjekjeve zhvillimore socio-ekonomike në Regjionin Ekonomik të Lindjes, me fokus të veçantë në bizneset vendore, mbështetjen rurale dhe të turizmit, ndërhyrjet e vogla infrastrukturore, dhe zhvillimin e aftësive për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes, punësimin, dhe përmirësimin e standardit të jetesës.
Projekti financohet nga Zyra e BE-së në Kosovë 

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë