Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Përmbledhje

Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Instituti “Riinvest” është “think-tank” më i vjetër në Kosovë, duke vepruar që nga viti 1995. Ne promovojmë zhvillim modern ekonomik të bazuar në filozofinë e ndërmarrësisë. Përgjatë dy dekadave të fundit, kemi prodhuar analiza, publikime dhe raporte të ndryshme socio-ekonomike; kemi organizuar seminare, konferenca, tryeza dhe takime me vlerë të madhe ekonomike dhe biznesore për vendin; kemi zhvilluar tregje, sektorë dhe ndërhyrje të tjera në vlerën zinxhirore. Njohuria dhe përvoja jonë na lejon që të jemi konkurrues dhe kompetentë në trajtimin e çështjeve socio-ekonomike dhe biznesore.

Sot, organizata jonë është një “think-tank” lider, jopartiak, në fushën e zhvillimeve socio-ekonomike në vend. Stafi i “Riinvest”-it përbëhet nga 18 hulumtues me orar të plotë (2 doktorë shkence; 4 studentë të doktoratës; 8 magjistra shkence dhe 4 me titull bachelor) si dhe 5 asistentë administrativë me orar të plotë – gjithsej 23 punëtorë me orar të plotë. Menaxhmenti i Institutit “Riinvest” përbëhet nga z. Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv; z. Alban Hashani, drejtor i hulumtimeve; dhe z. Sejdi Osmani, kryetar i Bordit Drejtues. Mes organizatave të tjera, partnerët dhe donatorët kryesorë të “Riinvest”-it janë: Komisioni Evropian (KE), Zyra Zvicerane për Koordinim dhe Bashkëpunim (SDC), Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Qendra për Zhvillim të Ndërmarrjeve Private (CIPE), dhe Friedrich Ebert Stiftung (FES).

Avantazhi më i fortë i “Riinvest”-it mbështetet në stafin e tij, kualifikimin profesional dhe akademik, si dhe në përvojën dhe përkushtimin në kryerjen e aktiviteteve në përputhshmëri me misionin e tij, mision i cili synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, i bazuar në ekonominë e tregut. Stafi ynë përbëhet nga individë të dalluar të shoqërisë kosovare – shumica hulumtues të rinj me kualifikim akademik nga shtetet perëndimore – dhe si rezultat i këtij grupi të dalluar hulumtuesish, kualiteti i produkteve të “Riinvest”-it ka qenë gjithmonë sipas standardeve më të larta profesionale dhe etike. Në fakt, për shkak të kualitetit të raporteve, analizave, tryezave, diskutimeve dhe misioneve të avokimit, “Riinvest”-it ka arritur të sigurojë qëndrueshmërinë dhe të mbajë raporte partneriteti me donatorët, partnerët dhe organizatat e tjera më relevante në Kosovë; për më tepër, ka arritur të mbajë besueshmërinë ndaj publikut të gjerë duke treguar qëndrime në çështje të ndryshme socio-ekonomike të vendit. Reputacioni ynë na ka mundësuar që të jemi më efektivë gjatë avokimit në komisione parlamentare, gjatë diskutimit në debate publike, apo gjatë konsultimeve me biznese, ndërmarrës, pjesëmarrës tregu, parti politike ose organizata ndërkombëtare në Kosovë. Një pjesë e rëndësishme e kësaj qëndrueshmërie derivon nga lidhjet e forta të brendshme të organizatës, të cilat sigurojnë kualitet, transparencë dhe qeverisje të mirë institucionale. “Riinvest“-i përpiqet vazhdimisht t’u përmbahet parimeve më të larta të qeverisjes.

Sot, Instituti “Riinvest” është i angazhuar në katër fusha kryesore: a) hulumtime dhe avokim; b) zhvillimi i tregut; c) trajnime dhe edukim; dhe d) hulumtime akademike.

Fusha e hulumtimeve dhe avokimit përfaqëson fokusin kryesor të organizatës; ku shumica e temave dhe e zhvillimeve më të rëndësishme socio-ekonomike në vend adresohen vazhdimisht. Përgjatë viteve të fundit, “Riinvest”-i ka prodhuar një pjesë të madhe të raporteve kualitative në temat më të rëndësishme socio-ekonomike në Kosovë, mes tjerash duke përfshirë punësimin, privatizimin, qeverisjen korporative, energjinë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, informalitetin, prokurimin publik, korrupsionin, transparencën, diasporën dhe remitancat, financat dhe investimet publike – të cilat më vonë janë përdorur, cituar, dhe adresuar nga palë të interesuara; kryesisht nga Qeveria, Kuvendi, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile dhe shoqatat biznesore. 

Në fushën e zhvillimit të tregut, organizata jonë ka qenë e angazhuar në ofrimin e asistencës teknike dhe njohurisë në tregje të ndryshme; veçanërisht në hortikulturë, turizëm, procesim të ushqimit dhe në sektorët shëndetësorë. Përvoja disavjeçare me metodologjitë më të avancuara zhvillimore, ka përgatitur ekipin tonë jo vetëm për të ofruar asistencë lokale, por edhe për t’i implementuar aktivitetet nga më të ndërlikuarat e më komplekset në këtë drejtim.

Në fushën e trajnimeve dhe edukimit, “Riinvest”-i është angazhuar po ashtu me zyrtarë komunalë, pronarë biznesesh dhe/ose përfaqësues, shoqërinë civile dhe me gazetarë, me qëllim të ngritjes dhe përmirësimit të kapaciteteve të tyre në disa sfera – të specifikuara sipas programeve trajnuese. Bashkëpunimi ynë është shprehur – në veçanti – me pothuajse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Në fund, duke pasur parasysh informacionet e pasura që “Riinvest”-i ka në dispozicion, hulumtuesit tanë kanë qenë të angazhuar aktivisht në hulumtime akademike, ku janë përgatitur dokumente dhe punime udhëzuese për të adresuar dhe kontribuar në mënyrë empirike në shumë hapësira (mangësi) letrare në fushën e ekonomiksit. 

Përderisa zhvillimet e së ardhmes vazhdimisht krijojnë sfida të reja për ne, Instituti “Riinvest” mbetet i gatshëm që mbi përvojën e ndërtuar deri më tani, mbi parimet e kredibilitetit e paanshmërisë, dhe mbi aktivizimin e vazhdueshëm zhvillimor, do të arrijë të ndërtojë dhe ofrojë zgjidhje për zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror.

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë