Në ambientin e Institutit Riinvest, janë prezantuar gjetjet e raportit të vlerësimit nga hulumtimi ‘Sa është e hapur Qeveria e Kosovës? – Rezultatet nga matësi i qeverisjes së hapur’. Ky hulumtim është realizuar përmes monitorimit të 28 web-faqeve të institucioneve të nivelit qendror, përfshirë këtu 19 ministri, Zyrën e Kryeministrit, dhe 8 partitë politike në Kuvend.
Prezantimin e shpalli të hapur Dita Dobranja, hulumtuese në Institutin Riinvest, e cila në fjalën e saj hyrëse i falënderoi të pranishmit, dhe shpalosi qëllimin e raportit në kuadër të projektit “Avokimi për Qeverisje të Hapur”, qëllim ky i cili është vlerësimi i transparencës pro-aktive në nivelin qendror.
Në ndërkohë, Antigona Uka, prezantoi gjetjet e hulumtimit. Sipas saj, të gjetura paraqesin kornizën ligjore dhe atë praktike brenda institucioneve publike. Tutje, Uka shtoi se sa i përket tri shtyllave kyçe që nxisin qeverisjen e hapur, të cilat janë: 1. transparenca, 2. pjesëmarrja dhe angazhimi, 3. kontrolli dhe mbikëqyrja, korniza ligjore paraqitet mjaft mirë e vendosur. Madje sipas institutit “Right to Information Rating (RTI)”, institut ky i cili bën matjen e performancës ligjore të shteteve, radhit Kosovën si të 21-tën, nga 111 shtete. Më tej, ajo shtoi se edhe pse korniza ligjore është mjaft mirë e vendosur, në praktikë lë shumë për të dëshiruar. Në përfundim, ajo shtoi se në mënyrë që të përputhen korniza ligjore me implementim praktik, secila ministri duhet të publikojë informatat buxhetore, operative, të prokurimit publik, dhe informata organizative në media të qasshme për publikun, si psh. web-faqe institucionale.
Konferenca u përmbyll me diskutim të hapur me të pranishëm. Ky publikim është rezultat i projektit Avokimi për Qeverisje të Hapur, i cili po zbatohet në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi dhe Kosovë, dhe financohet nga Bashkimi Evropian.